Bakari Gudjabi nuk është lojtari i fundit që bëhet pjesë e Dinamos për këtë sezon që sapo ka filluar. Mesfushori senegalez, i sapozyrtarizuar si pjesë e 18 herë kampionëve të vendit, pritet të stabilizojë repartin e mesfushës.

Edhe pse bëhet fjalë për një lojtar të ri në moshë, drejtuesit e Dinamos janë të bindur se kanë bërë një goditje të rëndësishme, si në aspektin e kualitetit që pritet t’i japë skuadrës, ashtu dhe në atë të perspektivës, pasi Gudjabi mund të sjellë të ardhura në të ardhmen në arkën e klubit. Ai ka gjithë kohën e nevojshme të ambientohet me grupin deri në ndeshjen e radhës me Kukësin.

EDHE NJË GODITJE – Klubi kryeqytetas ka lënë edhe një vend bosh në listën e federimeve, që pritet të plotësohet nga një mbrojtës qendre. Një nevojë kjo për trajnerin Luixhi di Biaxho, pas dëmtimit të Rustem Hoxhës dhe Zhoselin Behiratçes në ndeshjen e fundit me Skënderbeun në Korçë. Nga burime të gazetës pranë klubit blu bëhet me dije se është vetëm çështje ditësh, ndoshta edhe orësh, ardhja në skuadër e një qendërmbrojtësi.

Në bllokun e drejtorit sportiv, Haris Fakiç, mësohet se janë dy emra për momentin, por që nuk bëhen të ditur, përderisa nuk ka ende një akord mes palëve. Sipas burimeve të gazetës, janë dy lojtarë pa kontratë aktualisht, ku njëri ka qenë pjesë e futbollit çek sezonin e fundit, ndërsa tjetri e atij maqedonas. Bisedimet vazhdojnë dhe shumë shpejt Dinamo City do të vendosë se cili prej tyre do t’i bashkohet skuadrës në vazhdim.

Blutë afruan në merkaton e verës Rustem Hoxhën, i cili mori edhe shiritin e kapitenit, si dhe Behiratçen. Të dy formojnë dyshen titullare të qendrës së mbrojtjes, ndërsa të gatshëmjanë Alesio Mija dhe Ali Samake, të cilët morën vendin e tyre në Korçë, pas dëmtimeve. Trajneri Di Biaxho e donte që në fillim një tjetër qendërmbrojtës, kurse tani, pas dëmtimit të dyshes titullare, përpjekjet e drejtuesve për ta plotësuar këtë nevojë u intensifikuan.