Ditën e enjte në Tiranë do të zhvillohet kampionati kombëtar i sallave të mbyllura në atletikë. Themi i sallave të mbyllura sepse në fakt kështu është emërtimi por që në Shqipëri zhvillohet në kushte skandaloze, në qiell të hapur. Natyrisht ky është një nga zhgënjimet e mëdha të njerëzve të këtij sporti me ata që kanë qenë në pushtet prej vitesh sepse nuk është bërë asgjë për të qenë në të njëjtin hap me botën sa i takon infrastrukturës sportive. Madje, mund të themi me bindje të plotë se jemi shumë larg edhe vendeve më të prapambetura në këtë drejtim. Megjithatë kampionati “i sallave të mbyllura” do të zhvillohet ditën e enjte në pistën e “Qemal Stafës”. Në të, krahas ekipeve të tjera do të marrë pjesë padyshim edhe ekipi i Vllaznisë. Kryetrajneri i tij Albert Marashi në një prononcim për gazetën shkodrasport.com ka thënë: “Ne sigurisht që kemi pretendimet tona në shumë gara për të zënë vendet e para me sportistët që kemi. Këtë objektiv e bazojmë tek stërvitja që kemi bërë dhe forma që zotërojnë ato”. Shumë i bindur për sukses është edhe atleti Izmir Smajlaj që do tentojë vende të para si në garën e kërcimit së gjati ashtu edhe në atë të kërcimit trehapësh. “Do kërkoj vendet e para në këto dy disiplina por pse jo do tentoj edhe rekordin e kërcimit së gjati në salla të mbyllura që është 7.60 m, megjithëse këtë mund ta kërkoj ta thyej ndoshta në Kampionatin Ballkanik të Sallave të mbyllura që do zhvillohet në fund të këtij muaji në Stamboll”-ka thënë ai.
www.shkodrasport.com