Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka njoftuar se ditën e hënë do të zhvillohet kampionati kombëtar për të rritur. Ky kampionati sivjet do të zhvillohet në qytetin e Durrësit. Në të do të marrin pjesë sportistët e të gjithë klubeve të vendit megjithatë ende nuk dihet numri i saktë i pjesmarrësve. Pikërisht në varësi të këtij numri, do të jetë edhe kohëzgjatja e kampionatit. Nëse nuk ka numër shumë të madh atëherë kampionati do të zhvillohet vetëm të hënën por nëse numri është i madh, ai do të vazhdojë edhe të martën. Vllaznia shkon në këtë kampionat me pretendime serioze.

Mungesa e Erkand Qerimajt natyrisht që ka peshën e vet pasi ai do t’i jepte shumë pikë ekipit megjithatë trajnerët Genc Barkiçi, Muhamet Tuzi dhe Artur Lagja premtojnë rezultate të mira edhe me sportistët e tjerë. Rezultate të mira priten nga Valmir Kotrri, Gridi Jahja, Emanuel Lushi, Xhulio Prroni, Marjan Bregu dhe Isa Bala. Për Federatën e peshëngritjes, ky kampionat do të jetë një mundësi e mirë për të testuar sportistët e ekipit kombëtar të cilët janë duke u përgatitur për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në muajin prill në Tiranë.
www.shkodrasport.com