Opinion nga Saimir Demi

U deshën fitoret e fundit të Vllaznisë, për të na sjellë në qendër të vëmendjes trajnerin e klubit shkodran Baldo Rainerit, të cilin e kemi konsideruar si të hyrë nga dritarja e futbollit shqiptar, një arsye më shumë që na bëri ta shihnim me përbuzje prej ditës së mbërritjes.

Ndoshta filluan të na pëlqenin edhe humbjet e njëpasnjëshme të skuadrës që drejtonte, pasi në një farë mënyre i jepte jetë parashikimit tonë, sipas të cilit ky njeri nuk ia vlen. Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti, që të bësh ksenofobin kur në përgjithësi je ksenoman do të thotë të jesh i kohës. Teknikun zviceran e trajtuam si një Baldo të zakonshëm dhe më shumë na ra në sy modeli i tij i flokëve, i pëlqyeshëm në një periudhë vitesh të hershme, kur njerëzit lëviznin nëpër rrugë me nallane. Por edhe veshja fare e zakonshme që mbulonte një bark ekstravagant për nga madhësia, duke të dhënë përshtypjen që poseduesi nuk ishte as sportiv dhe jo më trajner i kualifikuar. Pra nuk mund të flitej për “mister”. Dhe mbi të gjithë gjashtë humbje rresht, ndërsa Vllaznia precipiton në fund të tabelës së klasifikimit, duke të servirur sërish imazhin e frikshëm të një sezoni më parë. E mallkuam që nuk po dorëzohej dhe u treguam edhe më të padrejtë duke e identifikuar si përgjegjësin e vetëm të gjendjes së kësaj Vllaznie, megjithëse e dinim mjaft mirë që mëkatarët janë diku tjetër. Ne kemi qenë dhe jemi çdo ditë këtu dhe nuk ka se si të na ketë shpëtuar më kryesorja, që me Baldon ose jo, për nga mënyra se si menaxhohet, kjo skuadër është e pashpresë të shkojë më lart, pavarësisht se përfaqëson një emër emblemë të futbollit të vendit. Ndërsa tekniku i duroi të gjitha, duke arritur ta mbajë të karrikuar skuadrën edhe kur klubi nuk kishte para për t’i hedhur naftë autobuzit dhe futbollistët merrnin bukë me vete. U tregua korrekt edhe në momentet më të vështira, qoftë edhe duke e nxjerrë dorën nga xhepi për t’ia zgjatur kolegëve dhe ndeshje pas ndeshje na bindi, se është i aftë edhe për ta rreshtuar ekipin në fushë sipas karakteristikave të kundërshtarëve që do të kishte përballë. Grumbulloi me të tijët aq pikë në një kohë rekord, saqë edhe nëse Vllaznia largohet që tani nga kampionati është e shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë. Pra nga ana profesionale Rainieri nuk është aspak për t’u përbuzur, madje është vërtetë një mister.Tashmë për skeptikët ka mbetur si armë vetëm analiza e kurrikulumit të tij, që pavarësisht paraqitjeve të fundit mbetet gjithsesi i varfër. Por edhe në këtë rast ka vend për të diskutuar, mafton të pyesësh veten se cila është në Shqipëri njësia krahasuese. Këtu të gjithë trainerët kanë drejtuar pas viteve ’90, ku në të shumtën e kohës futbolli ynë ka qenë mediokër dhe në rastin më të mirë fare i zakonshëm. Janë shumë të rrallë ata që e përfundojnë një edicion në të njëjtën pankinë, për të mos përmendur më pas një mori ndeshjesh me rezultate të dyshimta, ku me dashje ose jo kanë qenë prezentë edhe një pjesë e personazheve të tanishme. Pikërisht për këtë, Baldo mund të cilësohet edhe një herë mister, duke e luajtur së bashku me skuadrën e tij ndeshjen e së mërkurës sikur të ishte e jetës, megjithëse ato pikë nuk i bënin asnjë punë. Dhe pasi qau, tani na ironizon duke bërë në pistë si aeroplan, ndërsa ne nuk na duket më i shëmtuar, madje edhe duke iu referuar paraqitjes së jashtme.