Pas futbollit, edhe Federata Shqiptare e Basketbollit do të zhvillojë një mbledhje me drejtuesit e klubeve për të biseduar me to për vazhdimësinë e kampionatit. Mbledhja do të zhvillohet ditën e premte dhe do të jetë online.

Kuptohet që nga zhvillimi i saj pritet të dalin vendime të rëndësishme sa i takon mbylljes së sezonit. Federata e ka bërë publik qëndrimin e saj për ta çuar deri në fund kampionatit, por ajo duhet të marrë edhe aprovimin e të gjithë ekipeve pjesmarrëse. Vllaznia është nga ato që ka dalë me një qëndrim të hapur duke deklaruar se është “pro” ndërprerjes përfundimtare të kampionatit.

Presidenti Alban Xhaferi edhe në prononcimin e tij të para pak ditëve e ka shprehur qartë qëndrimin e tij për t’i dhënë fund këtu kampionatit ngaqë siç dihet, edhe lojtarët amerikanë që janë pjesë e saj, e kanë të pamundur të rikthehen në Shqipëri.

E në këto kushte, kur gjysma e ekipit të federuar nuk mund të jetë prezent në stërvitje e ndeshje, atëherë do të ishte e kotë për vazhdimin e garës. Të këtij mendimi mësohet se janë edhe 2-3 ekipe të tjera, por në fakt ka edhe prej atyre që duan ta çojnë kampionatin deri në fund.

Ende nuk është e qartë si do të merret vendimi të premten, me vota apo në mënyrë unanime, por ajo që duket se vlen është se pikërisht pas dy ditësh mund të ketë një vendim përfundimtar për këtë çështje. Por përderisa disa vende të Rajonit kanë vendosur që të mos ketë më ndeshje për këtë kampionat, edhe Shqipëria nuk ka pse bën përjashtim nga një ide e tillë.