Rezultatet e fundit duket se kanë lënë pasoja jo të vogla në aspektin psikologjik në kampin e Vllaznisë. Për hir të së vërtetës, kritikat në adresë të skuadrës, por edhe të drejtuesve dhe presidentit Alban Xhaferi, kanë qenë të shumta nga opinioni sportiv shkodran dhe më gjërë.

Megjithatë, skuadra kuqeblu është përpjekur të vazhdojë të bëjë punën e saj gjatë këtyre ditëve. Ndeshja e rradhës do të luhet kundër Egnatias, një sfidë shumë e rëndësishme për gjysëmfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë.

Kjo përballje pritet të jetë jetike për të dyja skuadrat. Për rrogozhinasit, ballafaqimi i së mërkurës konsiderohet një ndeshje mjaft e rëndësishme për të arritur në finalen e Kupës dhe për të tentuar më pas për të siguruar një trofe, sepse në rast humbje me Vllazninë mbetet e parealizueshme një gjë e tillë në kampionat.

Në të njëjtën kohë, jetike konsiderohet kjo ndeshje edhe për Vllazninë, e cila nëse nuk arrin të fitojë ndaj Egnatias, vendos në rrezik serioz pjesëmarrjen e saj në Europë dhe një gjë të tillë më pas mund ta synojë vetëm përmes kampionatit, edhe pse aty duket pothuajse e pamundur për t’u arritur.

Prandaj, përkushtimi i stafit teknik dhe trajnerit Goçe Sedloski me skuadrën kuqeblu do të jetë maksimal për të dalë nga fusha e lojës si skuadra fituese e kësaj ndeshjeje. Për të realizuar një objektiv të tillë, Vllaznia dhe trajneri Sedloski kanë kërkuar qetësinë e duhur këto ditë.

Ndërkohë, sa i përket formacionit anti-Egnatia, Sedloski do të shfrytëzojë edhe seancën e nesërme stërvitore për të përcaktuar zyrtarisht edhe emrat që pritet të dalin në fushën e lojës nga minuta e parë. Megjithatë nga sa mësohet, Erdenis Gurishta mund të rikthehet për krahun e djathtë të mbrojtjes, me kapitenin që mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit për arsye dëmtimi.

Ndërkohë, për pozicionet e tjera të fushës së lojës, pak a shumë pritet të jenë ato futbollistë që kanë luajtur edhe në ndeshjet e kaluara. Kujtojmë këtu se, Egnatia-Vllaznia do të luhet ditën e mërkurë, duke nisur nga ora 14:00 në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës.
Maringlen ZHIVANI