Egnatia mbylli dje përgatitjet për ndeshjen e sotme në orën 15:00 në transfertë kundër Laçit. Para kësaj ndeshjeje në konferencë për shtyp ka dalë trajneri i rrogozhinasve, Edlir Tetova. Ai u shpreh se do të të tentojë maksimumin kundër kurbinasve, edhe pse konfirmoi se do të ketë rrotacion në sfidën e sotme.

Tetova, luani kundër Laçit që po kalon një moment pozitiv. Çfarë synoni nga kjo transfertë?

Do të jetë një ndeshje delikate, pasi do të luajmë me një skuadër, që po bën mirë dhe ka në përbërje futbollistë të rinj, që kanë dëshirë të lënë gjurmë. Përtej formës që po kalon Laçi, është një ekip që jep gjithçka në fushën e vet. Ne e kemi përgatitur këtë sfidë për ta fituar dhe do të futemi në fushë vetëm për tre pikët.

A do të ketë rrotacion në këtë ndeshje?

Sigurisht që do të bëj rrotacion, siç në fakt kam bërë pothuajse në çdo takim në ndeshjet e fundit. Nuk dua të ngarkoj fizikisht lojtarët në këtë fund sezoni, pasi rrezikojmë të kemi dëmtime. Nuk kam nisur të mendoj për Vllazninë. Fokusi është te takimi me Laçin. Rrotacioni, siç e theksova, nuk bëhet se do të luajmë me Vllazninë, pavarësisht se ajo është sfidë me shumë rëndësi.


Si është gjendja e lojtarëve që kanë pasur shqetësime fizike?

Arbenit Xhemajli është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit dhe na ka dhënë sinjale pozitive, por mbetet për t’u vendosur nëse do të jetë në dispozicion kundër Laçit, pasi nuk duam ta rrezikojmë. Mario Gjata për fat të keq vijon të ketë probleme, ndonëse po stërvitet për të qenë gati së shpejti. Nuk do të kemi të gatshëm Sherrin dhe Spahiun, të cilët janë të pezulluar. Rikthehet Dylis, i cili do na ndihmojë në prapavijë.


A do ta ruajë Egnatia kreun deri në fund të sezonit?

Kemi ndeshje të forta përpara, teksa janë edhe 15 pikë në lojë. Është momenti të tregojmë vazhdimësi, si për të treguar që e meritojmë ta mbyllim të parët. Ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe me cilësitë që kemi, do të bëjmë gjithçka për të ruajtur kreun, që është edhe objektivi ynë.

A ishte triumfi me Partizanin një mesazh i fortë se Egnatia është pretendente për titull në “Final 4”?

Sfida me Partizanin më dha shumë indicie të mira. Jo sepse fituam, por se skuadra arriti të më përgjigjej mirë në detyrat që kishte në fushën e lojës. Megjithatë, ndeshja me Partizanin ka tjetër specifikë nëse do të luhet në “Final 4”. Ne kemi zhvilluar një kampionat pozitiv duke udhëhequr klasifikimin me meritë. Nuk di të kemi “vjedhur” pikë në asnjë ndeshje që kemi luajtur apo të kemi pasur fat. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të tentuar deri në frymën e fundit titullin, pasi është objektivi ynë.