Mesfushori i Teutës, Florent Avdyli, beson te kthesa në sfidën me Vllazninë. Pas barazimit me Luftëtarin, ai flet me respekt për shkodranët, por është i bindur se këtë herë ekipi i tij nuk do të dështojë.

“Asnjëherë nuk firmos për barazim”. Teuta do të luajë të dielën e ardhshme kundër Vllaznisë me synimin për të marrë pikë të plota nga kjo ndeshje në “Niko Dovana”, Avdyli është i bindur se skuadra e tij i ka të gjitha shanset për të fituar.

Jeni i trishtuar, e priste Avdyli që të mbyllej me atë rezultat ajo ndeshje?

Jam realisht i keqardhur. E megjithatë, le të shohim përpara, pasi ka ende shumë javë për t’u luajtur. Në fakt, ndaj Luftëtarit shumë gjëra nuk shkuan mirë dhe kryesorja ishte mungesa e përqendrimit. Bëmë shumë gabime dhe për rrjedhojë u ndëshkuam. Jam i bindur se po të jemi të gjithë bashkë, do të bëjmë më të mirën dhe do të arrijmë objektivin që i kemi vendosur vetes.

Ju është anuluar një gol i rregullt, çfarë komenti keni?

Sigurisht që jam i befasuar për golin, kur e kam parë pas ndeshjes. Jo unë, por çdo lojtar kur shënon të tillë gola, kënaqet, por do të ishte dhe një gol sigurie dhe për skuadrën.

Ndeshja ndaj Vllazninë do të jetë prova e vërtetë e Teutës?

Është një takim delikat, pasi jemi në pozita jo të mira, si ne dhe Vllaznia. I kemi të gjitha mundësitë për të marrë tri pikë. Vllaznia është një ekip që të lejon të luash futboll. Kush jep maksimumin, merr edhe frytet e lojës në atë stadium.

A ndihet Teuta nën presion para kësaj ndeshjeje?

Jo. Ekipi nuk është nën presion para kësaj ndeshjeje. Për ekipin është një situatë normale dhe të gjithë e dimë që është një ndeshje, e cila duhet fituar me çdo kusht.

Do të firmosnit për barazim për këtë takim?

E kam thënë dhe më parë, jam nga ata që asnjëherë nuk firmos për barazim. Në këtë sport, kur përgatitesh për një pikë, zakonisht humbet, ndaj edhe ne do të përgatitemi të marrim maksimumin. Nuk do të luajmë ndaj Vllazninë për një pikë, por për të fituar dhe për këtë do të japim 150% që të kënaqen edhe tifozët e Teutës.

Mendoni se do të dilni nga ky moment jo i mirë që po kaloni?

Ne e kemi treguar me lojë që meritojmë më shumë dhe mund të fitojmë në çdo fushë të Shqipërisë. Teuta është një ekip që, falë lojës së bukur që ka treguar, ka sot simpatizantë në gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Durrës. Jam i bindur se do të rikthehemi më të fortë edhe do harrojmë shumë në këtë sezon. Krijoni, por nuk shënoni shumë.

Pse kjo mungesë goli në skuadër?

Do doja më shumë që ekipi në tërësi të ishte më mirë në fazën sulmuese dhe sulmuesit të ishin më afër portës dhe të shënonin rastet e paraqitura. Shpresoj që kjo të jetë ndeshja e kthesës.