Në ndeshjen e kaluar ndaj Kukësit në “Elbasan Arena” 11 futbollistë të Vllaznisë luajtën “si burrat” dhe kur askush nuk e mendonte fitoren e tyre, ata ia dolën të triumfojnë duke marrë një trepikësh me shumë vlerë, me të cilin ata janë ngjitur në krye të renditjes.

Në opinionin sportiv shkodran të gjithë duken të kënaqur me përkushtimin që po tregojnë në fushë të gjithë futbollistët pa përjashtim. Kuptohet që mund të ketë ende probleme fizike apo cilësie, por e rëndësishme është që secili jep maksimumin.

Tifozët në fakt duan që të shohin po ato “11 burra” në fushë edhe javën tjetër ndaj Partizanit dhe një tjetër trepikësh edhe ndaj tyre, do t’i çonte në ekstazë ato.

Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse të kuqtë përveçse janë kampionë në fuqi të vendit, duan të fitojnë titullin kampion edhe këtë sezon, prandaj ato do të vijnë në Shkodër me objektiv të qartë për ta fituar ndeshjen.

11-shja në fjalë apo dhe ndonjë tjetër që mund të jetë në fushë në këtë ndeshje, duhet të japë maksimumin dhe nëse ndodh kështu, edhe fitorja ndaj Partizanit pastaj nuk do të ishte ndonjë çudi.

Në rradhët e ekipit shkodran ka optimizëm për të vijuar me momentin pozitiv që po kalojnë dhe padyshim që edhe me mbështetjen e tifozëve, ai është mëse i mundshëm për të bërë mirë edhe në të ardhmen.
© shkodrasport.com