Teksa “San Siro” shënon një rritje spektatorësh me 15 për qind, Milani mund të përfitojë të tjera para nga sponsorët për shkak të rezultateve sportive.

Duke pasur parasysh se stadiumet ende nuk lejohet që të mbushen plot, kuqezinjtë mund të krenohen me vëmendjen, e cila në këtë sezon mund të tejkalojë një milionë spektatorët “shtëpiakë”.

Deri më tani zgjedhjet e klubit për të përmbajtur shpenzimet po japin fryte e gjithçka do të amplifikohej pozitivisht nëse ekipi i Piolit vendos duart mbi titullin kampion.

PËRFITIME MONETARE – Po cilat mund të jenë benefitet e suksesit? Pikë se pari merkatoja. Shumë lojtarë mund të joshen teksa klubi do të kishte mundësi t’u kënaqte kërkesat financiare.

Një titull i jep thuajse 20 milionë euro më shumë ekipit fitues krahasuar me konkurrencën, teksa 3 milionë të tjera shtohen me mundësinë e pjesëmarrjes në Supërkupën e Italisë.

Diskutim i ngjashëm edhe për Championsin sepse gjysma e marketpoolit dhe të ardhurat nga e drejta televizive shpërndahen në bazë të renditjes në kampionatet kombëtare.

Në rastin e Italisë, kampioni i vendit përfiton 10 milionë nga pjesëmarrja në Champions, teksa rreth 30 milionë të tjera vijnë nga koeficienti historik që në rastin e Milanit do ta çonte përfitimin total në 40 milionë euro.

PREFERENCA – Nëse nga institucionet mund të arrihen llogaritje, çështja bëhet më e vështirë me sponsorët. Kompanive të lidhura me Milanin do t’u rritej shikueshmëria e për pasojë pëlqimi nga njerëzit nëpër botë.

Partneritetet janë ndër korsitë preferenciale të Milanit që ka lidhur emrin e tij me 26 sponsorë të rinj duke nisur nga janari i 2021-shit deri më sot. Bashkëpunimet e reja mundohen të zbulojnë edhe se si futbolli ka filluar të ndiqet.

Në kanalin “YouTube” kuqezinjtë kanë 1 milionë ndjekës, një rritje me 104 për qind krahasuar me vitin e kaluar. 4.2 milionë janë ndjekësit në “Tik Tok” ku kanë shënuar një rritje me 165 për qind krahasuar me një vit më parë. Edhe moda është më pranë “Djallit”.

Sponsori “Koché” çoi Milanin në javën e modës në Paris falë koleksionit “Vintage” të frymëzuar nga uniforma e vitit 1996.

PERSPEKTIVA – Ka edhe një të dhënë tjetër, ka një shenjë minus përpara, por mirëpritet me të njëjtën kënaqësi: vit pas viti klubi përgjysmon humbjet dhe parashikimet për të ardhmen e afërt shkojnë në drejtimin e zakonshëm.

Nga -194 milionë, jemi në -90 me perspektivën minus pesëdhjetë në vitin e ardhshëm. Numra që u vlerësuan edhe nga UEFA, në kuadër të seancës së fundit për “fair play” Financiar.

Në këtë mënyrë, Milani është bërë shembulli më i mirë i kampionatit italian për suksesin e njëkohshëm sportiv dhe financiar. Një menaxhim i virtytshëm, brenda dhe jashtë fushe, i cili ka dhënë rezultate më të mira sesa pritej e për këtë arsye i bën të gjithë të kënaqur.

Një progres që do të kurorëzohej në përsosmëri me një titull në maj. Në mes të marsit, Milani u bë pronar i fatit të tij duke u nisur nga një situatë e favorshme.

Etapa e parë do ta dërgojë skuadrën e Piolit në Kaljari nesër, por llogaritë do të bëhen në momentin e duhur. Deri kur ai të vijë, do të duhet që kuqezinjtë t’i bëjnë llogaritë me fushën.