Partizani luan në Kamzë kundër Kastriotit takimin e radhës në Superiore. “Demat” do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas dy barazimeve radhazi, aq shumë e nevojshme për objektivin Europë. Trajneri i ekipit kryeqytetas, Dritan Mehmeti preku disa tema gjatë konferencës për shtypin përpara transfertës së ditës së shtunë (13:45).

SITUATA – “Për sa i përket mënyrës se si e interpretuam ndeshjen me Egnatian, ka pasur shumë situata që i kemi analizuar. Megjithatë ky është futbolli. Kur i interpreton jo në mënyrë të duhur, duhet të nxjerrësh mësime. Është e vërtetë që kemi mungesa të rëndësishme. Në filozofinë time të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Kur kemi mungesa i japim mundësi dhe të tjerëve”.

KASTRIOTI – “Është skuadër e pozicionuar mirë në fushë. Kanë agresivitet të lartë. E interpretojnë mirë futbollin dhe i marrin maksimumin elementëve që kanë. Kanë bërë shumë mirë. Po t’i referohemi ndeshjes në fazën e dytë, e cila u mbyll në barazim, kemi pasur mundësitë tona. E rëndësishme është që të kemi vazhdimësi dhe të mos përsërisim gabimet që bëmë me Egnatian”.

OFENSIVA – “Sfida e fundit e luajtur me Kastriotin kemi pasur situata përpara portës. Punoj vazhdimisht. Edhe me Egnatian kemi shkuar përpara portës me 10 lojtarë dhe me 9 lojtarë. Vetëm në rastet që kemi pasur duhet të ishim më të qetë. Ky është element që duhet ta zgjidhin vetë. Trajneri bën taktikat që t’i çoj deri atje, pastaj lojtarët e zgjidhin vetë”.

EKIPI – “Skuadrën e kam marrë në moment të papërshtatshëm. Skuadra ka pasur si objektiv të dilte kampion në fillim të sezonit. Objektivi minimal për Partizanin tani është pjesëmarrja në Kupat e Europës”.

EUROPA – “Ne jemi në garë te të dyja kompeticionet. Kemi dhe 11 javë në kampionat, kemi gjysmëfinalen me Vllazninë. Partizani do të respektojë veten dhe garën. Që nesër ne duhet të mendojmë ndeshjen e radhës dhe ky është objektivi i radhës”.

TERRENI – “Një skuadër teknike që organizon manovër sulmuese kërkon cilësinë e fushës. Të dyja skuadrat nisen me të njëjtën situatë. Gjatë gjithë kohës jam munduar me një skuadër që ta përgatis në aspektin psikologjik, për të mos nxjerrë justifikime. Në momentin që një skuadër justifikon situatat, nuk ka mentalitet fitues”.

SKUKA – “Skuka ka bërë mirë. Është duke u rritur për sa i përket vlerave të tij individuale. Ai ka pasur dhe mbështetjen e grupit. Mungesa e tij është e rëndësishme, por të jeni të bindur që Partizani ka element shumë të mirë, që do të kërkojmë të ndryshojmë dhe manovrën sulmuese”.

ECURIA – “Pesë ndeshje, katër barazime, një fitore. Më vjen keq se si ne i interpretojmë 20 metrat e fundit. Të jemi të sinqertë me veten që përpos analizave, kemi shpërdoruar shumë raste. Me Egnatian nuk duhet të pësonim dy gola dhe kësaj i jam përkushtuar kësaj jave.

TË RINJTË – “Jam pjesë e Partizanit të elementit të ri. Në këtë situatë që është momentalisht Partizani, duhet shumë ekuilibër dhe të arrijë të fitojë vazhdimësi në lojë. Në momentin që skuadra ka qetësi në lojë dhe rezultate, e ke më të thjeshtë që një lojtar të afrohet nga moshat”.