Kategoria Superiore duket se ka gjetur stabilitet, të paktën përsa i përket luftës për titull. Nga 10 skuadrat e fillimsezonit, vetëm 3 nuk kanë ndryshuar trajner dhe nëse llogarisim këtu edhe Egnatian që riktheu në stol Edlir Tetovën, njerëzit në drejtimin e ekipeve që shkelmuan edhe topin e parë në gusht, janë 4.

Në këtë listë, Tirana bie në sy për stabilitetin që po tregon me besimin e palëkundur që po i jep Orges Shehit, madje presidenca rezistoi pas paraqitjes së dobët në Europë por edhe ndaj sulmeve të Shkëndijës disa muaj më parë, duke mos ndryhuar emër pasi me ish-portierin durrsak, klubi bardheblu ka gjetur qetësinë që kërkonte prej vitesh.

Shehi është një nga të paktët emra që kanë rezistuar kaq gjatë në dekadat e fundit dhe duket se rruga mes palëve do të jetë e gjatë e ndoshta edhe e suksesshme. Dallgë të mëdha ka kaluar edhe Giovani Colella në stolin e Partizanit. Rezistoi me sukses pas disa humbjeve të hidhura që u menduan se mbyllën portën e titullit për Partizanin, por ecuria e javëve të fundit e konfirmon në stolin e kuq ku iu deshën rreth 8 muaj për të marrë frytet e punës së nisur që në muajin gusht.

Italiani është sot nje nga emrat më të vlerësuar të Superiores sepse rezultatet dhe loja e të kuqve i japin të drejtë atij por edhe klubit që i besoi. Ndryshon historia e Xhevahir Kapllanit, që po bën mrekullinë në Shijak. Rezultatet dhe vazhdimësia e sezonit aktual i japin kreditet që ai meriton dhe sot është bashkë me dy kryesuesit, trajneri që më shumë se kushdo meriton podiumin e besimit. I fundit, Edlir Tetova, u largua nga Egnatia pas 8 javëve të para dhe u rikthye pas botërorit duke u konfirmuar në krye të stolit të rrogozhinasve që gjithsesi një eksperiencë me Shpëtim Duron e provuan.