Ndeshja e rradhës për Vllazninë, ajo me Flamurtarin që do të luhet fundjavën e ardhshme, konsiderohet shumë e rëndësishme. Kuqeblutë nuk kanë bërë një paraqitje të mirë në dy ndeshjet e fundit me Bylisin dhe me Besën prandaj dhe pritet reagimi i tyre. trajneri Agim Canaj ka besim tek skuadra e tij dhe shprehet i bindur se në Vlorë ajo do të hyjë në fushë për të kërkuar fitoren dhe jo të luajë në mbrojtje. “Ne në çdo ndeshje kemi objektiv për ta fituar këtë takim ashtu si çdo tjetër dhe nuk do nisemi aspak me idenë për t’u mbrojtur.

Po mundohemi të rregullojmë disa gjëra që nuk shkojnë ashtu si duhet dhe të bëhemi gati për ndeshjen e ardhshme me Flamurtarin”- ka thënë ai. Por deri javën e ardhshme kur do luhet takimi me Flamurtarin, duhet parë gjendja e disa futbollistëve që kanë probleme me dëmtimet në mënyrë që të përcaktohet formacioni me të cilin do luhet. Kalendari i pesë ndeshjeve të mbetura deri në fund të këtij viti, nuk është shumë i mirë për Vllazninë prandaj do kërkohet maksimumi në çdo ndeshje në mënyrë që skuadra të mos humbasë pozicion në renditje.