Ekipi i Vllaznisë ka fituar me rezultatin e thellë 6-1 në miqësoren e sotme të luajtur ndaj Adës. Ndeshja është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe i ka shërbyer të dy skuadrave për të testuar veten në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit. Trajneri Canaj kishte vendosur që të mos i aktivizonte të gjithë futbollistët titullarë teksa disa prej tyre i ka lënë pushim ndërsa disa të tjerë siç dihet janë të dëmtuar dhe po rikuperohen. Formacioni me të cilin ka luajtur në pjesën e parë Vllaznia ka qenë ky: Selimaj, Zefi, Semina, Sykaj, Baci, Ramadani, Tafili, Dibra, Vecaj, Shtubina, Gjini.

Ada ndërkohë ka luajtur me Currin, Rusi, E. Nika, Pelinku, Drabeja, Hysaj, Proda, Pepa, Pllumaj, Mujeci dhe K. Nika. Pjesa e parë e ndeshjes është dominuar tërësisht nga kuqeblutë që kanë shënuar katër gola me anë të Gjinit ‘8, Shtubinës ’15, Dibrës ’18 dhe Seminës ’31. Në të dytën ka patur shumë zëvendësime tek të dyja skuadrat teksa me Vllazninë janë aktivizuar Balaj, Pjeshka, Krymi, Hakaj, Kapaklija, Idrizi, Dyca e Bushiç. Edhe në këtë pjesë do kishte përsëri gola teksa Vllaznia do shënonte dy herë, një autogol i Rusit në ’61 dhe Vecaj në ’70 ndërsa të vetmin gol për Adën në këtë ndeshje e ka shënuar sulmuesi Agaj në minutën e 47-të. Përfundimisht 6-1 për skuadrën shkodrane e cila e ka shfrytëzuar këtë miqësore për të testuar veten në pragndeshjen e rradhës për kampionat me Flamurtarin.
Gjergj KOLA