Ka një muaj e gjysëm në Shkodër dhe natyrisht tashmë ka filluar të mësojë gjithçka sa i takon këtij qyteti, skuadrës që ai drejton dhe gjërave që e rrethojnë. Ernest Gjoka natyrisht që ka filluar të mësojë edhe si funksionojnë gjërat tek Vllaznia dhe rreth saj. Kritikat nuk mungojnë asnjëherë. Gjithëkush mundohet të japë mend, gjithëkush të kritikojë e kjo në fakt nuk i ka pëlqyer. Jo në aspektin personal sepse tashmë është mësuar me këto gjëra. I bën përshtypje sepse shumëkush “qan” për Vllazninë dhe sot që ajo është në vështirësi, në vend që t’i gjenden përkrah, e sulmojnë me dhe pa të drejtë.

Gjatë ditëve të fundit ka patur edhe kolegë të tij trajnerë që në mediat lokale dhe jo vetëm, kanë lëshuar jo pak akuza për mënyrën si punohet tek Vllaznia e gjëra të tjera të ngjashme me to. Për këto arsye, numri 1 i pankinës shkodrane sot në konferencën për shtyp ka bërë edhe një kërkesë publike kur ka thënë: “Janë rezultatet që nuk janë në anën tonë, është tifozi që normalisht ka shumë të drejtë që na kritikon. Por jo vetëm kaq. Janë kolegët e mi që çdo gjë e shohin jo mirë dhe të gjitha këto pastaj kalojnë në trysni në skuadër. Prandaj kërkoj që me shumë dashamirësi e shumë repekt, që të gjithë ta mbështesin skuadrën. është kollaj që të japin opinione, por në këto momente kërkohet që të jepet pozitivitet. Po t’i bihet çdo gjëje vetëm për keq, atëherë asgjë nuk shkon mbarë. Pra, kërkojmë një mbështetje nga të gjithë faktorët që të kalojmë këto momente”.

© shkodrasport.com