Ardhja e Besmir Banushit e ka forcuar edhe më shumë Vllazninë e çiklizmit e cila duket se gjatë këtij viti nuk do ta vërë në diskutim sërish dominimin në këtë sport.
Çiklisti vlonjat kishte shprehur dëshirën që t’i bashkohej ekipit shkodran dhe sot çdo gjë është zyrtarizuar me hedhjen e firmës në kontratë prej tij.
Pas këtij momenti, trajneri Leonat Kola në një prononcim për mediat është shprehur: “Mund të them me plot gojën që është vërtetë një kënaqësi e madhe që tashmë pjesë e ekipit tonë është edhe një sportist i afirmuar prej vitesh dhe një nga më të mirët e Shqipërisë si Besmir Banushi.
Ai prej vitesh është në majat e çiklizmit shqiptar. Kontaktet me Besmirin kanë nisur që gjatë një aktiviteti ndërkombëtar të vitit të kaluar, kur ai shprehu dëshirën për t’u bërë pjesë e Vllaznisë dhe tashmë, pasi biseduam edhe me drejtuesit e klubit, arritëm ta bënim realitet një afrim të tillë në ekipin tonë.
Konkretisht ne kemi një ekip të mirë dhe ardhmja edhe e Besmirit padyshim që do të jetë një vlerë e shtuar për ne. Kuptohet që duke parë se të gjithë pjestarët e ekipit tonë janë djem të rinj dhe me perspektivë dhe që janë kampionë aktualisht, me ardhjen e këtij sportisti me shumë përvojë, do t’u japë më shumë eksperiencë atyre dhe është një gjë shumë e mirë për ekipin tonë”.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me objektivat e ekipit të Vllaznisë për vitin 2020, trajneri Kola është përgjigjur: “Ne shpresojmë që rezultatet pozitive të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2020, sikur dhe vitin e kaluar kur i fituam thuajse të gjitha garat e zhvilluara, edhe këtë vit ta mbyllim me sukses të plotë duke synuar suksesin në të gjitha aktivitetet kombëtare e po ashtu, të bëjmë paraqitje sa më të mira edhe në garat ndërkombëtare ku do të marrim pjesë”.
© shkodrasport.com