
Finalja e nesërme ndaj Studentit pritet me interes tek Vllaznia. Interesimi në kryeqendrën e Veriut për sportin e volejbollit është rikthyer sërish në nivele të larta. Shanset e mëdha që ekipi i tyre të dalë kampionë, ka bërë që të ketë interes dhe për këtë arsye, pritet që edhe nesër të ketë shumë tifozë të pranishëm në shkallët e “Qazim Dervishit”. Trajneri Mark Kroqi ndërkohë nuk kërkon të nxitohet me fjalën “titull”, për këtë ai thotë: “Nëse e dëshiron kush këtë titull, ndoshta më shumëë se kushdo e dëshiroj unë. Kam zhvilluar një karrierë të gjatë me Vllazninë dhe me një brez të shkëlqyer sportistësh por nuk kemi patur fatin të fitojmë titullin kampion asnjëherë. Dhe të bësh sport në nivele të larta e të mos shijosh titullin, padyshim që është një mungesë e madhe. Këta djem që luajnë sot dhe që prej vitesh kanë sakrifikuar jo pak, kanë shansin e artë për të shkruar emrin e tyre në librin e artë të këtij sporti në Shkodër. Për këtë arsye, unë ua kam bërë të ditur se tashmë çdo gjë është në dorën e tyre dhe jo të kundërshtarit. Nëse ata e vlerësojnë siç duhet ndeshjen, kuptohet që mund ta mundin sërish Studentin. Përderisa kanë eliminuar Partizanin që konsiderohej ekipi më i mir,ë nuk kanë pse të mos e bëjnë këtë gjë edhe ndaj këtij finalisti. U kam kërkuar thjesht të bëjnë lojën e tyre, pa vetëkënaqësi dhe mund t’ia dalim të gjithë sëbashku për të festuar këtë titull kampion”- ka thënë ai. Në fakt Kroqi ka të drejtë. Volejbollistët aktualë të Vllaznisë kanë mundësinë të shkruajnë historinë. Atë që se kanë bërë dot në vite volejbollistë të shquar si ai vetë, Ali Bushati, Viktor Jubani, Irfan Boriçi, Xhino Mjeda etj, kanë mundësinë ta bëjnë këta sot. Për këtë, duhet fituar pikësëpari finalja e dytë, ajo që do të zhvillohet nesër në Shkodër.
© shkodrasport.com