Skuadra e Vllaznisë në futboll për femra ka arritur një tjetër fitore në kampionat dhe ajo udhëheq renditjen me pikë të plota bashkë me tre ekipe të tjera. Duket se sivjet do ketë rivalitet megjithatë gara ende nuk ka nisur.

Skuadrat pretendente do të ndeshen në javët e ardhshme me njëra-tjetrën dhe aty do të nisë edhe shkëputja e vajzave kuqeblu. Trajneri Leka e ka të qartë se objektivi edhe sivjet është titulli kampion ndonëse ai ka dëshirë t’i marrë gjërat shtruar.

“Objektivat tona janë të qarta në Shqipëri: Fitorja e titullit kampion dhe e kupës. Punojmë fort çdo ditë për këtë gjë dhe besoj se jemi në rrugën e duhur edhe sivjet.

Megjithatë nuk na pëlqen të bëjmë deklarata para kohe. Ne i marrim ndeshjet një e nga një duke e vlerësuar maksimalisht secilën prej tyre”- ka thënë ai.

Por kampionati i sivjetëm ka nxjerrë në skenë një tjetër pikësynim për kampionet në fuqi të vendit. Këtë e zbulon vetë trajneri Nikolin Leka kur thotë:

“Në ekip kemi gjashtë vajza 15 vjeçare, disa prej tyre madje kanë filluar edhe të shënojnë dhe këto vajza kanë filluar të ingranohen me pjesën tjetër të vajzave më me përvojë dhe kjo është diçka pozitive.

Presidenti Matija mendon gjithnjë edhe për të ardhmen dhe prandaj po u kushton shumë rëndësi promovimit të elementit të ri”.
© shkodrasport.com