I kënaqur për fitoren megjithatë ka vazhduar të udhëzojë pa pushim futbollistët e tij deri në vërshëllimin e fundit të arbitrit. Trajneri Hasan Lika pas ndeshjes është shprehur i kënaqur për fitoren e arritur dhe këtë e ka deklaruar para gazetarëve kur ka deklaruar:

“Në pjesën e parë e patëm të vështirë sepse kundërshtari kërkonte të na befasonte me kundërsulme, duke u mbyllur mjaft mirë prapa. Kishim vështirësi në qarkullimin e topit megjithatë edhe goli që shënuam erdhi si pasojë e presionit që ushtruam. Në pjesën e dytë ndërkohë, shënuam golin e dytë por pas tij, kundërshtari na vuri në vështirësi.

Madje edhe mund të na kishte shënuar ndonjë gol. Megjithatë lojën e kishim nën kontroll dhe për asnjë moment nuk e vumë në dyshim fitoren”. I pyetur nëse Vllaznia ka siguruar diçka me këtë ecuri të deritanishme, numri 1 i pankinës kuqeblu i përgjigjet: “Duhet të vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje për të arritur objektivin që kemi”.

Po ashtu, Lika është pyetur edhe për golin e brazilianit Junior i cili shënon pas pesë javësh dhe ai është përgjigjur: “Junior realizoi një gol që e intepretoi vetë në mënyrën e duhur sepse nuk erdhi si pasojë e ndonjë aksioni të skuadrës tonë. E kishte të nevojshme të shënonte megjithatë e kam theksuar se për ne si trajnerë, e rëndësishme është që të shënojnë sa më shumë lojtarë”.
© shkodrasport.com