Mbrëmë Vllaznia siguroi fitoren e parë në kampionat, kur mundi Tirana 78-70 në “Qazim Dervishi” dhe kuptohet që ajo ka gëzuar të gjithë shkodranët. Më së shumti edhe trajnerin e saj, kroatin Neven Plantak. Për të ishte suksesi i parë në tre ndeshjet që drejton kuqeblu dhe për këtë është shprehur i kënaqur pas ndeshjes, megjithatë ka deklaruar se për Vllazninë nuk ka kohë për të festuar.

“Kjo është një fitore e madhe, një fitore e rëndësishme për skuadrën tonë por nuk kemi kohë të festojmë shumë. Nga nesër duhet të fillojmë të mendojmë për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Partizanit. E kemi të qartë se situata jonë nuk është ende aty ku duhet prandaj na duhet të vazhdojmë të punojmë fort, për të dalë nga ky moment i keq ku ndodhemi.

Ndaj Tiranës e dominuam ndeshjen nga fillimi e deri në fund dhe vërtetë ishim deri në 20 pikë avantazh por në basketboll janë të pranushme luhatjet madje mund të ndodhë që je edhe 30 pikë përpara dhe në fund e humb ndeshjen.

E rëndësishme për ne ishte të fitonim”- është shprehur ai. Megjithatë, gjatë ndeshjes shpeshherë Plantak është parë të jetë i nervozuar me basketbollistët e tij apo dhe me gjyqtarët. I pyetur nëse kjo vinte nga presioni që ekziston rreth skuadrës, trajneri kroat i Vllaznisë është shprehur:

“Unë kështu jam. Nuk mund ta fitoj ndeshjen, nëse nuk nervozohem”. Mund ta ketë thënë edhe me të qeshur këtë shprehjen e fundit, por duket se ai e përjeton shumë ndeshjen nga fusha e lojës.
© shkodrasport.com