Nisja jo e mire e sezonit nga ana e Skenderbeut, ka bere qe te vihet ne dyshim arritja e objektivit, ngjitja ne Superlige dhe rrjedhoje e kesaj ka ardhur edhe divorci me trajnerin Migen Memelli.

Me pogradecarin është mbyllur thuajse gjithçka dhe gjasat janë që brenda kësaj jave të zbarkojë në Korçë edhe trajneri i ri.

Mediat bejne te ditur se tre janë emrat që Ardjan Takaj i ka në tavolinën e tij të punës.Presidenti është duke analizuar profilet e Renato Arapit, Ardian Memës dhe Ivan Gvozdenoviç.Një mes tyre pritet që të marrë drejtimin për pjesën e mbetur të sezonit, ndonëse nuk përjashtohet ndonjë surprizë.

I pari dhe më i favorizuari duket se është Renato Arapi. Një njohës i mirë i ambientit bardhekuq, ku si lojtar ka fituar shumëçka në Korçë. Ai duket se është një nga “beniaminët” e Takajt.Palët kanë biseduar prej ditësh, ndërsa pritet edhe një takim kur durrsaku të mbërrijë në Shqipëri.

Ajo që e bën disi të vështirë këtë marrëveshje është fakti se prej 4 tetorit ish-trajneri i Teutës ka marrë rolin e ndihmëstrajnerit në Arabinë Saudite tek Ohod Al Medina, ku trajner i parë është Ernest Gjoka.

Pritet që palët të diskutojnë shumëçka mes tyre dhe më pas të dalin në një përfundim. Kujtojmë se Arapi më herët ka qenë trajner i Teutës dhe drejtor teknik në këtë klub.

Një tjetër emër i njohur për ambientin korçar është edhe Ardian Mema.Fakti që ai ka qenë pjesë e stafit të Ilir Dajës në kohën kur Skënderbeu luante në Europë, e favorizon disi trajnerin kryeqytetas.

Me një eksperiencë të gjatë si ndihmëstrajner, por edhe si trajner i parë me Tiranën, ai duket si profili i duhur për të nxjerrë Skënderbeun nga kriza e rezultateve në Kategorinë e Parë.

Ndoshta më pak i kuotuari, por një alternativë është edhe serbi Ivan Gvozdenoviç.Ish-mbrojtësi i Skënderbeut në vitet e arta të korçarëve, prej 2018 ka provuar eksperienca të shumta në fushën e trajningut.

Fillimisht si ndihmëstrajner tek Al Fasli në Jordani e më pas si trajner i parë me katër eksperienca të ndryshme.Prej muajit maj 2022, ai ka mbyllur eksperiencën e tij në Oman dhe është trajner i lirë.

Këta janë disa nga emrat që Takaj po studion për të vënë në krye të ekipit.Gjithsesi, është vetë presidenti ai që do të marrë vendimin për t’i dhënë shkundjen e duhur ekipit, që në 9 javët e para të kampionatit nuk ka bërë maksimumin për të qenë brenda objektivave sezonalë.