Gjatë një interviste të gjatë të dhënë nga Joao Felix për të përditshmen spanjolle AS sulmuesi portugez aktualisht te Chelsea, përveçse ka folur për lamtumirën e tij nga Atletico Madrid, ka folur edhe për Kupën e Botës të luajtur në Katar.
Duke folur për atë që ka ndodhur me Cristiano Ronaldo-n, lider i grupit portugez që përfundoi në stol gjatë Botërorit: “Kemi mbetur pak të befasuar, – ka pranuar Felix, – sepse nuk është normale ta shikosh Cristiano-n në stol, por ka qenë një vendim i trajnerit.
“Megjithatë, Cristiano ka reaguar shumë mirë sepse ishim një grup shumë i bashkuar. Një reagim, ai i tiji, që i ka dhënë shumë qetësi grupit. Pavarësisht qëndrimit në stol, ai na ka ndihmuar gjithmonë”.
Më pas, në lidhje me transferimin në Arabi të CR7: “Të them të drejtën nuk jam befasuar. Cristiano nuk kishte më asgjë për të fituar në Europë, pasi ka shkruar emrin e tij në historinë e futbollit. Dhe tani do ta bëjë edhe në kampionatin e ri. Uroj që gjithçka të shkojë mirë për të”.