Në Shkodër u festua ditën e djeshme 100-vjetori i themelimit të klubit Vllaznia dhe ku u nderuan disa futbollistë të rëndësishëm, që kanë dhënë kontributin e tyre me fanellën kuqeblu por jo vetëm. Megjithatë, nga ndarja e çmimeve në Shkodër, ka pasur edhe shumë të pakënaqur të cilët duket se janë lënë në harresë nga përgjegjësit dhe nuk kanë marrë nderime më se të merituara.

Vetë Artur Çobani, një legjendë e futbollit shqiptar që ka luajtur me fanellën e Kombëtares dhe të Dinamos në të kaluarën, ka kritikuar ashpër mosrespektimin e figurave si Mujo Tarkaj, Luan Vukatana apo edhe të tjerë ish-futbollistë. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, Çobani dyshon se edhe në sport po shiten titujt.

“Çfarë thontë gjermanët për kapitenin e madh Mujo Tarkaj! Mujo nuk e paska titullin ‘Mjeshtër i Madh’!! Çfarë ironie!

Por paska edhe të tjera gjëra që më bëjnë të keq-ardhur. Jo më larg se dje u nderuar disa futbollistë të Vllaznisë së Madhe! Shumë mirë dhe e meritojnë, por, një ‘POR’ me të mëdha, nuk qenka Mjeshtër i Madh Ferit Ragami? Nuk qenka Mjeshtër i Madh Luan Vukatana? E çfarë mund them për disa të tjerë?

Më vjen trup të shtroj pyetjen: Mos ka filluar edhe në sport të shiten (jo vetëm me para) titujt e sportit? Zot më ndjeni për këtë dyshim, por jam i detyruar ta them. Mujo, Feriti, Luani janë Mjeshtëra në Mëdhenj! Ata i nderojnë njerëzit, tifozët, bashkëfutbollistët dhe i gjithë opinioni sportiv në Shqipëri dhe jashtë saj”, shkruhej në reagimin e Çobanit.

Ish-futbollistët të cilët morën tituj nderi në mbrëmjen gala, ishin Sabah Bizi, Astrit Hafizi, Xhevdet Shaqiri (pas vdekjes), Hysen Zmijani, Bardh Jera, Edi Martini dhe Vioresin Sinani. /VipSport/