Skuadra koplikase nuk ka të ndalur. Ditën e djeshme, ajo ka mundur në fushën e saj ekipin e Turbinës së Cërrikut në kuadrin e javës së tetë të kampionatit të kategorisë së dytë. Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje ka qenë 5-1. Epërsia ka qenë e madhe që në fillim të takimit, shoqëruar pastaj me golin e parë të shënuar nga Çokaj në minutën e 19-të. Por miqtë kanë barazuar në minutën e 28-të me anë të Basriu. Megjithatë pjesa e parë do mbyllej me një gol tjetër të Veleçikut të shënuar nga Banushi. Pjesa e parë kësisoj shënon rezultatin 2-1 për vendasit. Në të dytën ata do të shënojnë edhe tre gola të tjerë, me anë të Çokajt edhe dy të tjerë si dhe një tjetër me anë të Osmanit. Në këtë mënyrë, me fitoren e thellë 5-1, mbyllet kjo ndeshje, dhe Veleçiku shkon në kuotën e 19 pikëve duke qenë në krye të renditjes, e ndjekur nga Olimpiku me 16 pikë. Formacioni me të cilin luajti trajneri Besnik Duli në këtë ndeshje ishte ky:
Barcaj, Rajçeviç, Colaj, Lami, Banushi, Zymeraj (Lika 85′), Osmani, Plishta, Fishta, Miculi (Isufi 88′), Çokaj.

www.shkodrasport.com