Kategoria e Dytë do të luajë sot javën e shtatë të saj. Një nga sfidat e rëndësishme që do të luhet ditën e sotme, do të jetë edhe Veleçiku-Gramshi, të cilët do të luajnë kundër njëri-tjetrit në fushën e koplikasve.

Këta të fundit ndodhen në një distancë prej dy pikësh nga Sopoti i vendit të parë, që kryeson renditjen e kampionatit. Skuadra e Dritan Smajlit synon të ngjitet me patjetër këtë sezon në Kategorinë e Parë dhe prandaj kërkojnë që në të gjitha ndeshjet që do të luajnë, të marrin maksimumin e mundshëm.

Futbollistët e drejtuar nga trajneri Smajli janë të vendosur për ta kaluar me sukses këtë sfidë ndaj Gramshit të vendit të fundit që akoma nuk ka marrë asnjë pikë, aq më tepër kur vijnë me moral të lartë pas barazimit të rëndësishëm javën e kaluar, në transfertën e vështirë të Tropojës ndaj Valbonës, 1-1.

Ndeshja Veleçiku-Gramshi do të luhet ditën e sotme në impiantin “Vëllezërit Duli” në Koplik, duke nisur nga ora 13:00.
Maringlen ZHIVANI