Ndeshja e sotme me Bylisin padyshim që ishte ndër më të mirat deri më tani për portierin 22-vjeçar të Vllaznisë, Kristi Qarri. Ai zhvilloi një ndeshje tepër pozitive me ekipin kuqeblu, teksa ishte mjaft vendimtar me disa pritje nga ana e tij, ku në të ardhmen padyshim që mund të fitojë edhe vendin e titullarit tek Vllaznia me paraqitjet e bëra deri më tani.
Realisht, portieri me shumë të ardhme, edhe në seancat stërvitore, duket shumë i përkushtuar për të vazhduar rrugën drejt synimeve të tij, sepse e ka të qartë se vështirësitë e mëdha sapo kanë filluar dhe duhet punuar shumë për të rritur akoma më tepër performancën e tij.
Qarri, në një intervistë për “Shkodra Sport”, u shpreh se ndeshja ndaj Bylisit ishte e vështirë, por futbollistët kuqeblu u paraqitën mjaft mirë në fushën e lojës, ç’ka u dha fitoren atyre. Poashtu, portieri 22-vjeçar theksoi se ata duhet të jenë me këmbë në tokë për ndeshjen e kthimit, pasi akoma nuk ka përfunduar asgjë.
“Ndeshja ndaj Bylisit? Ne e dinim që ishte një ndeshje e vështirë, sepse Bylis ka treguar që bën mirë në fushën e saj, por ne bëmë një paraqitje të mirë, duke paraqitur atë që kemi përgatitur për këtë ndeshje. Megjithatë, duhet të jemi me këmbë në tokë për arsye se kemi edhe ndeshjen e kthimit në Shkodër dhe akoma nuk ka përfunduar asgjë.
Kënaqësia si titullar? Për mua të mbrosh portën e kësaj skuadre, siç është Vllaznia, është një kënaqësi e madhe dhe shpresoj që ta ndihmoj sa më shumë kur të më jepet mundësia.
Synimet e Vllaznisë këtë sezon? Ne duhet të jemi të vëmendshëm në këshillat që trajneri Josa dhe pjesa tjetër e stafit na japin. Ne duhet të zbatojmë atë që ata kërkojnë dhe duhet të vlerësojmë çdo ndeshje që kemi përpara. Vetëm kështu besoj që do të marrim frytet.
Model portieri? Unë ndjek shumë ndeshje të kampionateve të Europës dhe përpiqem të mësoj shumë nga të gjithë portierët që ndjek nepër takimet e ndryshme.
Objektivi për të ardhmen? Unë jam i fokusuar tek puna që po bëjmë dhe tek objektivat që kemi. Te Vllaznia jam shumë i lumtur padyshim.
Dedikim për arritjet deri më tani? Kam një dedikim ndaj familjes time, sepse më kanë mbështetur në çdo situatë dhe ata janë krenarë për mua”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, portieri i Vllaznisë, Kristi Qarri.
Maringlen ZHIVANI