Ndeshja e nesërme ndaj Teutës është te dera dhe te Vllaznia nuk janë fort të qetë. Në takimin e Kupës ndaj Flamurtarit, skuadra ka vendosur në diskutim kualifikimin për në turin tjetër dhe kjo ka sjellë pasojat e veta.

Gjithsesi, përtej ndeshjes së Kupës, vëmendja është te ndeshja me Teutën. Kuqeblutë vijnë në këtë sfidë si fitues në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Kastriotit, që u mbyll 1-0, ndërsa durrsakët vijnë pas humbjes 4-0 ndaj Tiranës në kryeqytet.

Ndërkohë, për çudi nga 11-shja që ka luajtur ndeshjen e fundit me Teutën në “Niko Dovana”, që përfundoi në barazim 1-1, kanë mbetur diçka më pak se gjysma e skuadrës dhe pak prej tyre, do të luajnë në sfidën me durrsakët ditën e nesërme.

Futbollistët që kanë qëndruar në ekip janë: Bojan Zogoviç, Erdenis Gurishta, Esin Hakaj, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Ardit Hoxhaj, Liridon Latifi dhe Ante Aralica. Me shumë mundësi, Kruja, Latifi dhe Aralica nuk do të luajnë këtë ndeshje, pasi mund të aktivizohen futbollistë të tjerë në vend të tyre.

Vllaznisë i janë larguar pesha të rënda si Fallou Diagne, Ardit Krymi, Victor Da Silva dhe Mevlan Adili, duke mos llogaritur si emra të tjerë si Panos, Mustedanagiç, Gjurgjeviç, Fangaj, Hoxha apo edhe Deda.
Maringlen ZHIVANI