Te Vllaznia nuk do të pritet ketë asnjë lëvizje në merkato pa marrë fund çështja e trajnerit të ri. Megjithatë, disa prej lojtarëve u ka përfunduar kontrata dhe tashmë konsiderohen të lirë në treg. Kroati Ante Aralica është i pari që u largua, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmuesin brazilian, Kaina Nunjesh, paçka se presidenti Xhaferi ka pasur së fundmi një bisedë me të.

Kontrata i ka mbaruar edhe sulmuesit të krahut, Liridon Latifi, i cili konfirmoi për “Panorama Sport” se nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Vllaznia për momentin nuk duket prioritet për kosovarin, i cili ka marrë një ofertë joshëse nga kampionët në fuqi, Ballkani i Suharekës. Në një situatë delikate është edhe kapiteni Erdenis Gurishta, të cilit i ka mbaruar kontrata dhe nuk ka garanci nëse do të vazhdojë të luajë me fanellën kuqeblu.

Një largim i sigurt nga skuadra është boshnjaku Elvedin Heriç, me klubin që nuk ka më interes për të rinovuar marrëveshjen. Gjithashtu, një nga mesfushorët më të mirë të sezonit që lamë pas te Vllaznia, Fjoart Jonuzi, i cili shënoi 7 gola në kampionat, pritet të largohet drejt Kosovës, aty ku Ballkani i Ilir Dajës i ka bërë ofertë konkrete.

Vllaznia, nga ana e saj, ka kërkuar që të mbajë në tonus lojtarët, duke i kontaktuar ditët e fundit, për t’u dhënë ofertën për kontratën e re. Mirëpo, tashmë jemi në një situatë që jo çdo gjë është në dorën e klubit kuqeblu, pasi futbollistët do të shikojnë interesat e tyre, ndërsa do të kërkojnë edhe parametra më të mirë të kontratës, ku natyrisht rritja e rrogës është një prej kushteve kryesore.