Edhe një ditë në dispozi cion për të përgatitur ndeshjen me Egnatian, ku Vllaznia ka misionin e vështirë që të mundë ekipin që ka dominuar sezonin për të qenë ajo në finalen e titullit. E vështirë, por jo e pamundur për shkodranët. Trajneri gjerman i kuqebluve, Tomas Brdariç, në një intervistë për mediat ka theksuar se skuadra është gati për të përballuar një ndeshje delikate.

Brdariç pohon gjithashtu se Vllaznia do të hyjë në fushë e përqendruar maksimalisht për të kaluar limitet e saj. Tifozët shkodranë, sipas trajnerit të kuqebluve, do të jenë një shtysë e fortë për të eliminuar një kundërshtar të fortë si Egnatia.

Z.Brdariç, çfarë ndeshjeje prisni të dielën dhe a është skuadra gati për të bërë hapin e madh kundër Egnatias?

Mendoj se është një ndeshje delikate dhe shumë e fortë, por rëndësi ka që e kemi në dorën tonë dhe jemi gati për të bërë mirë. Do të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje me aftësitë tona.

A ka diçka që ju shqetëson para kësaj gjysmëfinaleje?

Jo, nuk kemi asnjë shqetësim para Egnatias. Jemi gati.

Kundërshtarit i mjafton edhe një barazim, ndërsa Vllaznisë i duhet vetëm fitorja për të kapur finalen. A e shton kjo presionin për ekipin tuaj?

S’ka dyshim se duhet të fitojmë. Në çdo ndeshje futemi për tri pikë, kështu që nuk mendoj se ka ndonjë dallim këtë herë, pavarësisht se kundërshtarit i intereson edhe një barazim. Ne do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë takim.

Sa besoni se do të jeni ju ekipi që do të shkojë në finalen e “Final 4?

Ky është momenti ynë dhe duhet ta tregojmë në fushë. Shpresoj që të kemi edhe fatin me vete, por jam i bindur se do të bëjmë shumë mirë kundër Egnatias për të qenë ne skuadra që do të shkojë në finalen e madhe.


Vllaznia ka 23 vite që nuk e ka fituar titullin. Sa ndikon kjo në anën psikologjike të skuadrës?

Ne thjesht jemi të përqendruar në situatën aktuale. Skuadra do të jetë e përgatitur maksimalisht për luftën që na pret në fushë. Unë besoj se tifozët do të jenë të shumtë në stadium për të na mbështetur dhe së bashku mund të arrijmë gjithçka për qëllimin që kemi. Janë ndeshje, ku pres të kalojmë limitet tona.