Vllaznia në futboll për femra, mbrëmjen e sotshme në ora 21.00, luan ndeshjen e fundit në fazën e grupeve të UEFA Champions League, teksa përballë do të jetë Real Madrid. Shkodranet, që kanë mbërritur të hënën në kryeqytetin e Spanjës, kanë bërë edhe stërvitjen e fundit ditën e sotme dhe tashmë janë gati për ndeshjen ndaj Realit të Madridit.
Një ditë përpara këtij takimi ka dalë në konferencë për shtyp kapitenja e Vllaznisë, Esmeralda Franja. Ajo u shpreh se këto ndeshje janë një eksperiencë e madhe për ato si futbolliste, ndërsa theksoi se është emocion që do të luajnë ndaj disa lojtareve që i kanë parë vetëm në TV.
Prononcimin e plotë të kapitenes së Vllaznisë në futboll për femra, Esmeralda Franja, mund ta gjeni në kanalin zyrtar të gazetës “Shkodra Sport” në Youtube, duke klikuar në videon e mëposhtme.
“Këto ndeshje janë një eksperiencë e madhe për ne si futbolliste. Kur luajmë në këto nivele kaq të larta, natyrisht që ndjehem mirë. Poashtu, edhe gocat besoj se ndjehen mirë.
Natyrisht që, kemi emocione, sepse luajmë me ekipe të nivelit të lartë. Luajmë me futbolliste që i kemi parë në TV. Luajmë me ekipe që kanë emër të madh dhe luajnë në nivele shumë të larta. Natyrisht që, emocionet janë të mëdha.
Real Madrid ndaj nesh do tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës, por ne duhet të paraqitemi tepër mirë”,-mbylli prononcimin e saj, kapitenja e Vllaznisë, Esmeralda Franja.
Maringlen ZHIVANI