Vllaznia dhe Teuta do të ndeshen pasditën e sotme, në përballjen e vlefshme për javën e 15-të të Abissnet Superiore në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 15:45. Ekipi shkodran, i drejtuar nga trajneri Mirel Josa është i “dënuar” të fitojë, sepse vjen pas dy humbjeve rradhazi në kampionat dhe një tjetër në Kupë.

Realisht, një fitore ndaj Teutës do të ishte një frymëmarrje për Vllazninë në këtë fundvit. Edhe paraditën e djeshme, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Mirel Josa, ka bërë më të mirën e tyre të mundshme në seancën stërvitore, teksa padyshim që nga ata pritet vetëm trepikëshi ndaj durrsakëve.

Shqetësuese për stafin teknik, me në krye trajnerin Josa, vijojnë të jenë mungesat, të cilat edhe për këtë ndeshje janë të shumta. Tashmë, përveç qendërmbrojtësit malazez Bulatoviç që vijon të mungojë prej disa javësh, nuk është i gatshëm as Dajan Shehi. Megjithatë, ndaj Teutës pritet të rikthehet Marko Juriç.

Poashtu, mungesë tjetër në prapavijë është edhe Arsid Kruja, që në ndeshjen e kaluar me Kastriotin në transfertë u ndëshkua me karton të kuq. Ndërkohë, edhe kosovari Liridon Latifi do të mungojë sërish në fushën e lojës për shkak të problematikave të dëmtimit.

Megjithatë, stafi teknik me në krye trajnerin Mirel Josa, ka arritur të krijojë një formacion premtues për ta hedhur në fushën e lojës pasditën e sotshme.

Nga sa është parë, në kampin kuqeblu, optimizmi dhe mobilizimi për ndeshjen e sotshme ndaj Teutës është në maksimum, duke pasur vetëm një objektiv, fitoren e kësaj përballjeje.
Maringlen ZHIVANI