Paris Saint-German e ka nisur sezonin e ri në mënyrë fantastike, ku në dy ndeshje, kampionët e Francës kanë siguruar gjashtë pikë dhe kanë shënuar 10 gola, ndërsa kanë pësuar vetëm dy.

Deri më tani reparti i sulmit ka funksionuar shumë mirë, ku dyshja Neymar – Messi ka shkëlqyer.

Gjithashtu edhe Mbappe e gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen përball Montpellier, por francezi shpërdoroi edhe një penallti në minutën e 23-të.

Ajo që shqetëson në lidhje me francezin është sjellja e tij në fushën e lojës, ku mbrëmjen e të shtunës u pa i pakënaqur.

Në pjesën e dytë, Mbappe kërkoi topin nga shokët e skuadrës, në një aksion ku protagonist ishte blerja e re, portugezi Vitinha. Mesfushori nuk zgjodhi ta pasojë te sulmuesi francez në krahun e majtë, por vazhdoi aksionin dhe e pasoi topin te Lionel Messi.

Reagimi i Mbappe ishte i pabesueshëm, ku ai u ndal në mes të aksionit, tundi duart me pakënaqësi dhe hoqi dorë nga sulmi i mëtejshëm.

Francezi zhgënjeu me sjelljen e tij dhe përsëri dalin në pah problemet që parizienët kanë në ekip.

Trajneri Galtier e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te Paris Saint-German, por akoma ka punë për të vendosur rregullat e tij në skuadër, për të mos lejuar sjellje të pahijshme për një ekip Kampion në fushën e lojës.