Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra ka mbyllur pasditën e sotme përgatitjet intensive në kuadër të sfidës së parë ndaj Realit të Madridit, të vlefshme për UEFA Women Champions League.

Vllaznia ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u futur në grupet e këtij kompeticioni, si kurrë më parë për shkodranët, teksa ata do të synojnë të marrin pikë edhe në sfidën e parë ndaj Realit të Madridit. Këtë e pohon Megi Doçi, sulmuesja e ekipit, e cila premton se skuadra do ta vlerësojë ndeshjen në maksimum dhe do të tentojë të marrë pikë ndaj Realit në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në një prononcim në prag të ndeshjes, ajo shprehet se ndihet e lumtur për këtë moment historik, teksa tregoi edhe se si është atmosfera brenda ekipit. Gjithashtu, Doçi thotë se ky është një sukses i madh për Vllazninë dhe futbollin e femrave në Shqipëri, pasi kjo arritje është shkruajtur me gërma të arta në histori, ndërsa theksoi se është një emocion i madh të luash kundër Realit të Madridit.

“Ky është një moment historik për ekipin tonë dhe është një moment historik në përgjithësi, për futbollin e femrave në Shqipëri. Sigurisht që, është arritje, është një histori, që e kemi shkruajtur me gërma të arta, por besoj që ne kemi për të dhënë maksimumin dhe do vazhdojmë akoma që të bëjmë më të mirën.

Eshtë emocion, kur ndjen edhe vlerësim nga ana tjetër ose nga UEFA, por është një motiv më i madh për mua për të dhënë edhe më tepër. Megjithatë, sigurisht që, është një motiv më i madh kur mendoj që kemi Real Madrid përpara dhe një motiv më i madh për të gjitha shoqet e ekipit për të dhënë mbi 100%.

Ekipi është i stërvitur mjaft mirë, si nga pjesa fizike, si nga pjesa tekniko-taktike. Tashmë, jemi në ditën e fundit para lojës dhe jemi stërvitur vetëm taktikisht. Kështu që, edhe me ndihmën e stafit drejtues dhe stafit teknik, mendoj se ekipi do të shprehet në mënyrën më të mirë për të dhënë më të mirën e mundshme.

Shpresoj që nesër të jenë edhe tifozët të shumtë në numër dhe të na mbështesin, sepse kemi nevojë për mbështetjen e tyre. Janë ato tifozë që dy ndeshjet e tjera na kanë bërë që, ne të japim më të mirën në fushën e lojës.

Këto ekipe që përballemi ne, është e vërtetë që janë ekipe të mëdha dhe kanë financa të mëdha brenda. Mund të kenë ndoshta shumë sponsorë të mëdhenj, por ekipi jonë ka karakter, është stërvitur dhe mendoj se e ka merituar plotësisht që të jetë në këto grupe.

Golat që kam shënuar, nuk hidhen poshtë për asnjë moment. Dëshira është e madhe të shënoj nesër ndaj Realit, por e rëndësishme është paraqitja e mirë e ekipit dhe shoqeve të ekipit, të mbështesim njëra-tjetrën, të luajmë si grup dhe besoj se gjithçka mund ta arrijmë dhe mund të bëjmë surprizën”,-mbylli prononcimin e saj, sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi.
Maringlen ZHIVANI