Fiorin Durmishaj ka shënuar një tjetër gol spektakolar në Greqi, pavarësisht se ky nuk ka mjaftuar për Panionios për të fituar në ndeshjen e radhës të kampionatit. Sulmuesi i talentuar shqiptar, shënoi në minutën e 90+3` të takimit nga jashtë zone, me një goditje të fortë, duke tundur rrjetën e AEL Larissa, që ishte duke fituar takimin në atë moment me rezultatin 4-1 kundër Panionios.

Rrjeta e Durmishajt erdhi pas një kundërsulmi të fundit të lojtarëve të Panionios, që asistojnë Durmishajn jashtë zone. Shqiptari nuk mendohet dy herë, por gjuan nga më gati 25 metër, duke bërë një realizim spektakolar, që në fund ka vlerën e statistikës.

Goli i Fiorin Durmishajt vetëm sa ngushtoi shifrat në 4-2, pasi nuk kishte më kohë që Panionios të kthente rezultatin. Ky është realizimi i katërt në kampionatin grek për Durmishajn, që ka ndihmuar skuadrën e tij jo pak deri më tani.

Sakaq më herët, në kampionatin Slloven, sulmuesi tjetër i talentuar shqiptar, Francesco Tahiraj, shënoi gjithashtu për golin e shtatë në kampionat, duke i dërguar mesazhe të qarta trajnerit të kombëtares, Christian Panucci.