Trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka, mendon se është normale të humbësh ndaj Çelsit, duke parë disnivelet midis ekipeve që kishin në fushën e lojës. Në konferencën për shtyp pas kësaj ndeshjeje, tekniku shkodran, duke folur për këtë përballje, vlerësoi Çelsin për nivelin dhe për lojën që zhvilloi.
Poashtu, ndër të tjera, trajneri Leka tha se Vllaznia ka marrë një përvojë pozitive në ballafaqimin me emrat e mëdhenj që ka në grup, e cila do t’i shërbejë për një pjesëmarrje më dinjitoze sezonin e ardhshëm në UEFA Women Champions League.
Trajneri shkodran u shpreh se është i kënaqur nga loja që bënë vajzat në ndeshjen e sotme ndaj Çelsit, ndërsa theksoi se që nga ndeshja në Londër ndaj ekipit anglez, Vllaznia ka rregulluar shumë pjesë, ku ajo çalonte.
“Si shkoi loja sot, shpresonim që rezultati të ishte më i ngushtë. Megjithatë, duke parë disnivelet midis ekipeve, është normale që të humbësh. Eshtë e parashikueshme ajo pjesë, por në përgjithësi unë jam i kënaqur me lojën që bënë vajzat, sidomos në fazën defensive.
Ne e kemi thënë gjithmonë që jemi ekip i ri. Nuk mund të pretendojmë më tepër dhe gjithë këto ndeshje janë eksperiencë. Megjithatë, them që nga ndeshja në Londër me Çelsin, ne kemi rregulluar shumë pjesë ku çalonte ekipi. Kemi luajtur mirë taktikisht. Unë jam i kënaqur dhe i falënderoj shumë ato vajza.
Siç e thashë edhe më parë, janë disnivelet ato që nuk të lënë të dalësh në sulm dhe të shpenzosh energji në fazën mbrojtëse, atëherë në fazën sulmuese normalisht që do kesh defekte. Nuk mund të dalësh përpara. Ne shpresonim të rikuperonim disa futbolliste, por nuk u rikuperuan. Diferenca mes ekipeve, shto këtu edhe dëmtimet dhe mungesat, atëherë normalisht që bëhen gjërat edhe më të vështira.
Në “Loro Boriçi” jemi në fushën tonë, jemi pranë publikut tonë që na mbështet dhe unë i falënderoj shumë. Normalisht që, vajzat ndihen shumë më lirshëm dhe luajnë shumë më lirshëm në fushën tonë.
Skuadra ka edhe një farë lodhjeje prej numrit të madh të ndeshjeve. Ne e kemi thënë edhe në konferencat tjera që buxhetet e ekipeve kundërshtare janë aq të mëdha, sa kanë 25-futbolliste në gjirin e tyre. Kështu që, ne me kaq pak futbolliste dhe me kaq shumë ndeshje, normalisht që këmbët e vajzave janë të lodhura, dihet ajo punë. Kështu që, normalisht ka filluar të ndihet lodhja në këmbët e tyre”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë në futboll për femra, Nikolin Leka.
Maringlen ZHIVANI