Brazili jashtë Kupës së Botës. Një tronditje për “Katar 2022” dhe zhgënjim i madh për një sërë futbollistësh shumë të fortë brazilianë, që shpresonin të shtonin Kupën e Botës në “palmares” e tyre përkatës. Ata shkojnë në shtëpi me një dëshpërim të madh, sepse gjysmëfinalja ishte një hap larg.
Kroacia barazoi në minutën e 117-të dhe më pas fitoi me penallti. Tite i tha lamtumirë stolit drejtues, Brazili do të duhet të kërkojë një trajner të ri. Lojtarët vuajnë zhgënjimin e madh, marrin kritika nga kudo, por ka edhe nga ata që pësojnë sulme personale, si Vinicius që u vu në shënjestër të Ivan Alejo, i cili e ofendoi në mënyrë raciste me tweet-in e tij.
Ivan Alejo është rritur në popullaritet global, pasi ka shkruar një postim në Twitter. Një mesazh i postuar rreth një orë pasi Brazili u eliminua. Pa fjalë, vetëm disa “emoji”. Tre “emoji” që përfaqësonin një burrë që kërcente, duke simbolizuar gëzimin, dy të tjerët një majmun me dorën mbi gojë. Këto dy “emoji” të fundit kanë ndezur polemika, madje shpejt, me të drejtë.
Sepse në Spanjë, muajt e fundit kishte pasur polemika të ndryshme për kërcimet e Vinicius në rastin e golave. Polemika të ashpra të cilat në disa raste kishin shkuar deri në në racizëm. Për këtë arsye, përdorimi i “emoji” të majmunit dukej i papërshtatshëm dhe fyes.
18 minuta më vonë Alejo, kur pa se kishte një lloj komenti nën postimin e tij, e fshiu atë tweet dhe bëri një tjetër, duke korrigjuar “shkrepjen” dhe mbi të gjitha duke fshirë “emoji” e majmunit.
Ai mbajti “emoji” e njeriut që kërcente dhe shtoi ato të një burri me duart mbi gojë, duke shkruar: “Siç e keni parë, fshiva një tweet, sepse kuptova që u bë një interpretim i gabuar i asaj që doja të përcillja. Po e korrigjoj”.
Debati u ndez pasi në xhiron e fundit të La Liga-s para Botërorit, në ndeshjen mes Real Madridit dhe Cadiz, Ivan Alejo dhe Vinicius patën njëfarë konfrontimi. Futbollistit të Cadiz nuk i kishin pëlqyer disa nga sjelljet e brazilianit dhe pas ndeshjes, gjithmonë përmes rrjeteve sociale, kishte shkruar:
“Është gjynah që rivalët e mëdhenj nuk janë në lartësinë e sjelljes së duhur”. Në mbështetje të asaj që donte të përcillte, ai i kishte vënë një foto të Vinicius që po merrte kartonin e verdhë./telesport/