Pas tri javësh kampionat, Vllaznia ka 4 pikë në renditje dhe të gjitha i ka marrë në dy ndeshjet jashtë fushe me Lushnjën dhe Luftëtarin. Po të mos kishte qenë ajo humbje me Teutën në stadiumin “Loro Boriçi”, gjithçka do të ishte në rregull dhe atmosfera do të ishte shumë më e zjarrtë.

 

Megjithatë, janë luajtur vetëm 3 javë kampionat dhe skuadra pritet të jetë më mirë në vazhdim, aq më tepër që edhe pagat kanë kaluar tashmë.Pritshmëritë janë më të mëdha edhe nga ai që shënonte gola pa fund për Vllaninë, ish-sulmuesi Vioresin Sinani, një nga golashënuesit më të mirë të futbollit shqiptar
Në një intervistë për “VIP SPORT”, ai flet për ecurinë e skuadrës shkodrane në këto javë të para, për çështjen e pagave dhe atë të privatizimit, por edhe për përplasjen me Tiranën në Kupën e Shqipërisë. Sinani mendon se këtë sezon nuk bëhet fjalë për mbijetesë, por për një skuadër kompetitive, ndërkohë që shpëtimin e futbolli shkodran e sheh te privatizimi i Vllaznisë.
Vioresin, si ju është dukur Vllaznia pas këtyre tri javëve të para të kampionatit?
Të them të drejtën, nuk më është dukur keq. Janë luajtur vetëm tri javë dhe skuadra ka katër pikë, madje të marra jashtë fushe dhe nuk janë pak. Gabuam në ndeshjen në Shkodër me Teutën, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Personalisht, jam shumë optimist se do të kemi një Vllazni më të fortë këtë sezon. Ekipi do të rritet javë pas jave.
Cili është vlerësimi juaj për afrimet e bëra gjatë merkatos së verës?
Mendoj se kanë ardhur lojtarë të mirë në skuadër, sidomos në mesfushë, ku është rritur mjaft cilësia. Janë afruar lojtarë me përvojë në këtë repart si Hasani, Lika dhe Vucaj, të cilët do ta ndihmojnë ekipin.


Po për sulmin, ku sërish duket se Vllaznia ka probleme, çfarë mendimi keni?
Sulmi është një repart, që ka vështirësi. Unë e kam thënë gjithmonë se që të kesh një skuadër të mirë, duhet të kesh sulmues të mirë. Kam besim te Ribaj dhe pres që ai të bëhet protagonist me kalimin e javëve dhe ta ndihmojë më shumë Vllazninë.
Po për sulmeusin Atsina, çfarë do të shtosh?
Nuk është se e kam parë shumë dhe nuk di çfarë të them për momentin. Kam marrë vesh nga shtypi se ka probleme dëmtimi dhe mund të mungojë gjatë, por e përsëris, Ribaj mund të japë më shumë për Vllazninë.
Shpesh te Vllaznia shfaqet çështja e pagave, që ndikon edhe në ecurinë e skuadrës apo jo?
Për mua kjo është një temë e ezauruar, sepse bashkia dhe asamblea kanë miratuar fondin për dhënien e pagave, kështu që nuk ia vlen të flasim. Pagat janë të garantuara te Vllaznia, edhe pse mund të ketë vonesa.
Pas ndeshjes me Teutën sikur pati një ftohje të tifozërisë, që ishte e shumtë në shkallët e stadiumit…
Tifozëria shkodrane nuk duhet të ftohet me Vllazninë, sepse jemi vetëm në fillim të kampionatit. Skuadra ka nevojë për tifozët dhe them se javë pas jave do të bëjë më mirë. Atmosfera në stadium gjatë ndeshjes me Teutën ishte shumë e bukur, ishte një reklamë e bukur. Jam  besimplotë se Vllania do të rritet dhe duhet të ecë bashkë me tifozët në çdo ndeshje.
Shorti ju ka vënë përballë Tiranës në Kupën e Shqipërisë. Çfarë parashikoni?
Vllaznisë i ka qëlluar shorti më i vështirë në Kupën e Shqipërisë, sepse Tirana është një kundërshtar shumë i fortë, pavarësisht se luan në Kategorinë e Parë. E kam parë Tiranën, ka një skuadër të fortë dhe kam bindjen se do të jenë dy ndeshje të denja derbi, të bukura dhe të vështira për Vllazninë. Por kam besim se skuadra shkodrane do të kualifikohet për më tej.
Po për çështjen e privatizimit çfarë do të shoshit, sa ndikon fakti që Vllaznia administrohet ende nga bashkia?
Ekipi duhet te administrohet nga privati dhe shpresoj shumë të ndodhë kështu. Vllaznia është një emblemë e futbollit shqiptar dhe duhet të jetë gjithmonë në nivele të larta dhe me një administrim nga privati mund të rritet dhe të pretendojë trofe.
Cili është mendimi juaj në lidhje me pjesëmarrjen e Vllaznisë U-19 në Championsin e të rinjve?
Eshtë një vitrinë për këtë të rinj shkodranë. Atyre u erdhi fati, që të tregojnë vlerat në një aktivitet të tillë, ku asnjë skuadër tjetër shqiptare nuk ka marrë pjesë. Eshtë një fat për ta. Vllaznia nuk ka vuajtur asnjëherë për talente dhe tani është mirë që këtë atë rinj po ekspozohen edhe në kompeticione ndërkombëtare.