Mesditën e sotme, pikërisht në orën 13.00, në stadiumin “Loro Boriçi” do të luhet ndeshja e kthimit e turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ajo në mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kjo e fundit është e favorizuar për kalimin e turit ngaqë kanë fituar ndeshjen e parë 2-0 në fushën e tyre. Megjithatë, ka të paktën edhe 90 minuta në lojë për të vendosur se kush do të jetë skuadra çerekfinaliste. Në Shkodër, ndoshta edhe brenda vetë skuadrës, ka edhe opinione të tilla se çfarë na duhet kupa? Thënë ndryshe, nuk duhet të tentojmë fare kualifikimin.

Një mendim mëse i gabuar. Po Tiranës, çfarë i duhet kualifikimi? Apo ajo mendon se do ta fitojë këtë trofe ashtu siç ndodhi vitin e kaluar? Mendime të tilla për heqjen dorë nga pretendimi për t’u kualifikuar, janë vërtetë të gabuara. Vllaznia sot duhet të luajë për dinjitetin e saj. Të emrit, historisë dhe traditës. Duhet të luajë për tifozët e saj të cilët vetë me rezultatet zhgënjyese, i ka larguar nga stadiumi. Sot ndoshta, kuqeblutë edhe mund të mos kualifikohen sepse rezultati i ndeshjes së parë nuk flet në favorin e tyre dhe po ashtu, edhe mungesat që kanë nuk janë diçka e mirë.Por 11 futbollistët që do dalin në fushë, asgjë nuk i pengon të japin maksimumin. Për të kërkuar golin e parë, të dytë e të tretë. Ndoshta edhe nuk ia dalin por dëshirë duhet të kenë. Vllaznia sot duhet të luajë për dinjitetin e saj, i cili duhet pranuar se ka rënë shumë poshtë. Po e mund kushdo, madje edhe në Shkodër. Renditet në vendin e parafundit në kampionat dhe mund të heqë dorë nga kupa që në turin e dytë. Jo, kjo nuk është Vllaznia që duan shkodranët. Dhe ata që do të zbresin në fushë, duhet ta tregojnë këtë gjë në mënyrën e duhur. Historia 98 vjeçare e kësaj skuadre ka qenë tjetër gjë dhe prandaj secili prej pjestarëve aktualë duhet të mundohet ta largojë këtë moment të vështirë. Sot duhet menduar vetëm për Tiranën dhe jo për Kamzën e kampionatit. Ajo është një histori tjetër e cila nis nga nesër e mbrapa.
SHKODRA SPORT