Sulmuesi i Manchester Unitedit, Zlatan Ibrahimoviç ka vazhduar të kritikojë ish-trajnerin e tij, Pep Guardiola, që tani drejton Manchester City-n. Suedezi ka patur mosmarrëveshje me teknikun spanjoll gjatë aventurës së tij tek Barcelona pasi u bashkuar me katalanasit në sezonin 2009-2010 dhe pas derbit të Mançesteri Ibra edhe një herë tjetër ka shpërthyer kundër tij. “Unë shënova shumë gola në gjashtë muajt e parë dhe kemi fituar dy Superkupa. Gjashtë muajt e parë ishin të përsosur”, tha fillimisht Ibra për “Sky Sports Italia”.

“Pas kësaj, ne ndryshuam sistemin e lojës dhe kjo nuk ishte e mirë për mua, kështu që klubi më tha të flisja me Guardiola-n. Dhe i thashë atij se do t’i sakrifikonte lojtarët e tjerë për Messi-n. Ai më tha se më kuptoi”, vazhdoi ai. “Pas kësaj, ai më la në stol për ndeshjen e ardhshme, atë pas asaj dhe atë pas asaj dhe mendova ‘ai e ka zgjidhur problemin shumë mirë’. Pas kësaj, ai nuk fliste me mua madje as nuk më shikoi”, zbuloi ish-sulmuesi i Milan. “Unë shkoja në dhomë ai dilte jashtë. Unë shkoja ta takoja dhe ai shkonte diku tjetër. Kuptova se kishte diçka përtej futbollit. Pep më ka gjykuar gjatë kohës që isha te Barcelona. Kam përvojë me të. Ai nuk ishte trajneri më i dobët që kam punuar, por nuk kishte maturi, sepse një burrë i zgjidh vet problemet e tij”, theksoi suedezi.