Vllaznia e mbylli këtë edicion të Superligës në vendin e 5-të të renditjes. Një pozicion aspak i pëlqyer duke parë ambiciet dhe objektivat e fillim sezonit për kuqeblutë. Tashmë edhe me finalen e kupës për të luajtur kundër Laçit, fitimi i këtij kompeticioni është e vetmja rrugëdalje për një kualifikim në kupat e Europës.

Por po të kthehemi edhe njëherë tek kampionati, Vllaznia ka shënuar 47 gola këtë sezon. 3 më shumë se edicioni i kaluar që e mbyllte në vendin e dytë në kuotë të barabartë pikësh me Teutën që shpallej kampione. Nga 47 golat e shënuar në këtë sezon 2021-22, 12 prej tyre mbajnë firmën e Liridon Latifit që e mbylli si golashënuesi më i mirë i kuqebluve.

Ante Aralica gjithashtu ka dhënë kontributin e tij në sezonin që sapo u mbyll. Kroati që ishte sulmuesi kryesor, pati thuajse shifra të njëjta si Haris Dilaver sezonin e shkuar. Nëse boshnjaku do shënonte 12 gola kur ishte pjesë e kuqebluve, 25-vjeçari arriti të gjente rrjetën 10 herë këtë sezon, duke theksuar se asnjë gol nuk ka ardhur nga penalltia.

Një përmirësim në aspektin e golave ka pasur Da Silva, që me 8 rrjetat e tij ka vendosur një rekord personal. Rënie në aspektin e shënimit ka pasur për Ardit Hoxhajn. Vlonjati ishte shënuesi më i mirë i shkodranëve sezonin e shkuar me 13 gola, ndërsa këtë edicion e mbylli me vetëm 3 rrjeta në emrin e tij.
Endri ÇINARI