Kërkoi fitoren megjithatë Vllaznia B nuk ka dalë pa pikë sot nga fusha e vështirë e Peshkopisë. Në fund të takimit me Korabin, është fiksuar rezultati i barabartë 1-1, por shkodranët në fundin e tij kanë patur një mundësi të artë për të shënuar edhe golin e dytë dhe të fitores por kanë gabuar. Që në minutën e parë, Chakhvashvili shërben për Hysenin, i cili ul bukur për Peçin që vetëm për vetëm me portjerin nuk e ka të vështirë të shënojë për skuadren e Korabit.

Pjesa e parë do të mbyllej vetëm më këtë gol dhe më një lojë të ekuilibruar nga të dyja skuadrat, por pa gola të tjerë.Në të dytën Vllaznia B mundohet të gjejë golin e barazimit, por duhej të pritej deri në minutën e 78-të, atëherë kur Markolaj do të shënonte një gol të bukur nga jashtë zone. Një gol që do t’i dhuronte ekipit të Krajës 1 pikë në këtë transfertë të vështirë. Pas këtij barazimi, Vllaznia B kalon në kuotën e 2 pikëve, ku pas katër javësh ka rregjistruar 2 barazime dhe 2 humbje. Por në vend që t’i gëzoheshin pikës së marrë, futbollistët dhe stafi shkodran janë ndeshur nga presione të shumta të vendasve të cilët duket se nuk e pritën mirë një barazim të tillë. Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë trajneri Kraja në një postim të tij kur shkruan: “Jemi nisur që në 7 të mëngjesit për këtë takim. Kemi bërë 5 ore rrugë dhe futemi në fushë duke marrë një barazim me vlera në mes presioneve të ekipit kundërshtar. Tani jemi duke u kthyer në shoqerinë e policisë sepse dolëm vonë nga stadiumi. Drejtuesit e Korabit bënin presione nga më të ndryshme në sy të policisë”. Mbetet të presim raportin e delegatit të FSHF-së në lidhje me gjithë këto probleme dhe më pas vendimin e institucioneve përkatëse të këtij institucioni. “Vllaznia B” nuk ka bërë asgjë më shumë sesa ka luajtur futboll dhe ka marrë një barazim. Llogarit pastaj çfarë do kishte ndodhur nëse ajo do kishte fituar.

© shkodrasport.com