Pasditen e nesërme do të luhen ndeshjet e javës së nëntë të kategorisë së parë. Kjo është java e fundit e fazës së parë dhe padyshim që “Vllaznia B” do të kërkojë t’i bëjë një mbyllje ashtu si duhet kësaj faze. Në fakt, ecuria e këtij ekipi në dy javët e fundit ka qenë e shkëlqyer. Fillimisht mundi 1-0 Besën në Shkodër dhe më pas, fitoi 3-1 në Shijak ndaj Erzenit në një ndeshje me shumë probleme, shoqëruar me dhunë nga ana e vendasve. Kësisoj kjo ecuri e shkëlqyer do të kërkohet të shoqërohet me një fitore të tretë në takimin ndaj Burrelit. Kjo ndeshje do të nisë në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Në formacionin e trajnerit Kraja për këtë ndeshje pritet të ketë edhe futbollistë të ekipit të parë. Pyetja që lind me këtë rast është ajo se kush do ta mbrojë portën? Nga sa bëhet e ditur, ashtu si në Shijak, edhe këtë herë në portë do të jetë Alen Sherri. Ai po paraqitet mjaft mirë në stërvitje, madje edhe ndaj Erzenit bëri një paraqitje shumë të mirë. Madje, për ta parë nga afër në këtë takim, kishte udhëtuar nga Shkodra në Shijak edhe trajneri i portierëve të Vllaznisë Alfred Osmani. Arsyeja pse 20 vjeçari po aktivizohet me ekipin B është padyshim që ai të bëhet gati në mënyrë që kur t’i jepet rasti për të mbrojtur portën e ekipit të parë, të jetë gati. Përveç Sherrit, në formacion sot pritet të jetë edhe sulmuesi Sherri apo dhe ndonjë futbollist tjetër i ekipit të parë. Padyshim që me aktivizimin e tyre ata do të mundohen t’i japin një tjetër fitore “Vllaznisë B”.
© shkodrasport.com