Me të vërtetë mund të konsiderohet risia e Klubit të Futbollit Vllaznia. Ishim mësuar gjithë këto vitet e fundit me vështirësitë që haste ekipi i parë dhe po ashtu edhe me sukseset e ekipeve të Akademisë por në fakt nuk kishim mësuar se çfarë do të thoshte ekipi i dytë. I krijuar vetëm një sezon më parë, “Vllaznia B” nga kategoria e tretë fitoi të drejtën për t’u ngjitur këtë sezon në kategorinë e dytë. Aty ku konkurron me ekipe të tjera të dyta të klubeve të njohura si ato të Partizanit, Tiranës dhe Kukësit.

Me të gjithë këto, kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Ervis Kraja, arritën të dominojnë dhe dy javë para fundit të kampionatit, kanë siguruar vendin e dytë në renditje. Përpara është vetëm Egnatia. Me këtë vend, shkodranët kanë siguruar play off-in dhe do të ndeshen pas dy javësh me skuadrën e parafundit të grupit të Jugut të kategorisë së parë. Do jetë vetëm një 90 minutësh që do të vendosë për ngjitjen e “Vllaznisë B” një kategori më lart apo jo. Gjasat janë që po. Përbërja aktuale që ky ekip ka, duke marrë lojtarë edhe nga Akademia por edhe nga ekipi i parë (pesë futbollistë kanë të drejtë të luajnë nga skuadra e Cungut këtu) shtojnë shanset që kuqeblutë të triumfojnë ndaj Elbasanit apo Sopotit, skuadra këto që mendohet të jenë kundërshtarët e tyre në play-off. Po çfarë i shërben klubit shkodran një ekip i tillë. Pikësëpari për elementin e ri, atë që mbush moshën 19 vjeç dhe nuk gjen vend për momentin në kategorinë Superiore. Në vend që të degdiset në ekipe të tjera të Shqipërisë siç ka ndodhur deri më tani për të shkuar tek Besëlidhja, Kamza, Tërbuni, Burreli, Tomori, Ada e me rradhë, do të kenë mundësi që të luajnë tek “Vllaznia B”. Përveç tyre, lojtarët e ekipit të parë që nuk luajnë ditën e ndeshjes me të, mund të luajnë tek ekipi i dytë. Shto këtu edhe ato që janë jashtë forme dhe mund të marrin veten duke luajtur rregullisht në këtë ekip. Shembulli më i mirë është ai i Arsid Krujës i cili pas disa momenteve jo të mira, duke punuar shumë në stërvitje dhe duke luajtur rregullisht me “B”-në, arriti të kapën formën e tij dhe të rikthehet të luajë me ekipin e parë. Kjo mund të shërbejë edhe për futbollistët e tjerë dhe për këtë arsye, kjo Vllazni e dytë duhet të jetë në kategorinë e parë sezonin e ardhshëm si një realitet i ri i futbollit shqiptar. Jo më kot, puna që drejtuesit e klubit kanë bërë në këtë drejtim, duhet përshendetur.

© shkodrasport.com