Kohë për të humbur nuk ka më prandaj dhe drejtuesit e Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim edhe me ata të klubit janë ulur të bisedojnë për Vllazninë e së ardhmes. Ka ndodhur kështu vetëm 24 orë pas vendimit zyrtar për një tërheqje të presidentit të mëparshëm Agron Çela nga ky post për shkak të pamundësisë ligjore për të vazhduar mbajtjen e tij. Gjërat tashmë janë të qarta sepse do jetë Bashkia ajo që do të administrojë e vetme klubin. Të paktën derisa të merret ndonjë vendim tjetër për shitjen e aksioneve apo ndonjë gjë tjetër. Kryebashkiaku Luka është takuar paraditen e djeshme me dy drejtuesit e lartë të klubit, administratorin Gjyrezi dhe drejtorin sportiv Grima për të diskutuar në lidhje me atë se çfarë do të bëhet. Takime të tilla do të jenë të shumta në ditët e ardhshme por e rëndësishme është të themi se dje është dhënë OK-I për vazhdimin e punës për ndërtimin e skuadrës. Për momentin kjo ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Për pasojë, duke nisur nga e hëna apo e martja e javës që vjen, skuadra do nisë stërvitjen.
Takimi në Bashki. E kishte paralajmëruar një ditë më parë në prononcimin e tij administrator Gjyrezi dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Numri 1 I Bashkisë së këtij qyteti që është edhe pronarja e të gjithë aksioneve të klubit Vllaznia Lorenc Luka, ka pritur në zyrën e tij përveç administratorit edhe drejtorin sportive Armir Grima. I vetmi që ka folur në lidhje me këtë takim ka qenë ky I fundit që për “Gazeta e Sportit” është shprehur: “Ka qenë një takim I zakonshëm punë me kryetarin e Bashkisë për të biseduar rreth të ardhmes së Vllaznisë pas zhvillimeve të fundit në klub. Nga ana e tij është parë një angazhim maksimal për të bërë më të mirën për skuadrën por megjithatë do flasim sërish në ditët në vazhdim për të diskutuarr se çfarë do të bëjmë në vazhdim. E rëndësishme është që kryetari I Bashkisë ka vullnetin e mirë për të bërë më të mirën për Vllazninë”. Nuk ka thënë asnjë fjalë më tepër por nga sa merret vesh, sigurisht që një temë e rëndësishme e bisedës në takimin e djeshëm ka qenë edhe ana financiare e klubit. është folur edhe për borxhet aktuale që klubi ka dhe po ashtu edhe për financat që duhen për të ardhmen. Megjithatë nuk është mbërritur në një përfundim konkret ngaqë ditët e ardhshme do sqarohen shumë gjëra. Pikësëpari me paraqitjen e dorëheqjes zyrtare të ish- presidentit Çela shoqëruar edhe me bilancet që do mbyllen bashkë me të për të parë se cilat do jenë detyrimet e palëve.
Stërvitja e skuadrës: Nëse ka patur biseda, sigurisht që do ketë edhe diskutime për të ardhmen. Megjithatë Vllaznia nuk ka kohë shumë për të ardhmen. Ajo duhet të nisë sa më parë nga puna. Ana ligjore e do që të pritet dorëheqja zyrtare e ish- presidentit Çela për të kaluar në një fazë tjetër të funksionimit të klubit, atë si shoqëri aksionere me kapitale 100 për qind të Bashkisë Shkodër por edhe me administrim total prej saj. Megjithatë po merren masat që stërvitja të nisë sa më parë. Kjo është e rëndësishme dhe më pas, ndërtimi I skuadrës me stafin dhe lojtarët e duhur. Pikërisht për këto çështje, drejtori sportiv Grima ka thënë: “Do nisim menjëherë nga puna. Ditën e hënë do diskutojmë sërish për skuadrën dhe mbase që atë ditë apo ndoshta edhe të martën, skuadra do të nisë stërvitjen fillimisht nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Sinani. Në stërvitje do të dalin ato futbollistë që kanë qenë pjesë e ekipit edhe sezonin e kaluar dhe janë ende nën kontratë apo dhe futbollistë që kemi patur të huazuar në ekipe të tjera. Gjatë rrugës pastaj do të shohim, nisur edhe nga buxheti që do ketë klubi, se me cilët futbollistë do ulemi për të rinovuar kontratat dhe me cilët do bisedojmë për të firmosur kontrata të reja. E rëndësishme është që të shpejtojmë për të bërë më të mirën për Vllazninë”. Tashmë gjërat janë të qarta. Pa u përcaktuar buxheti I ardhshëm, nuk do ketë lëvizje të mëdha por gjasat janë që skuadra të përbëhet nga thuajse tërësisht futbollistë shkodranë dhe element I ri që premton për të ardhmen. Në fakt kjo gjë ka kohë që kërkohet nga specialistë të shumtë të futbollit.
Gjergj KOLA

-Futbollistët me kontrata të mbaruara, në dilemë për rinovim
Nga skuadra e sezonit të kaluar janë disa futbollistë të cilëve u ka mbaruar kontrata. Njëri prej tyre pikërisht Smajli tashmë ka firmosur me Flamurtarin ndërsa Vujadinoviç po luan në Kupat e Europës me Mlladost të Podgoricës dhe Dragoi po ashtu mund të firmosë edhe ai me Flamurtarin. Në kushte të tilla, me këta futbollistë që u ka mbaruar kontrata por edhe ndonjë tjetër që mund të jetë në të tilla pozita, do shikohet në ditët e ardhshme nëse do ulen sërish në bisedime për të firmosur apo jo kuptohet duke parë mundësitë financiare të klubit dhe pretendimet e futbollistëve. Gjasat janë që të mos ketë rinovime por të synohet kthimi I disa futbollistëve shkodranë që luajnë me ekipe të tjera dhe po ashtu, edhe ndonjë futbollist tjetër I ri.