Skuadra e Vllaznisë dhe drejtuesit e saj janë të bindur se humbja ndaj Flamurtarit ka patur një ndikim të drejtpërdrejtë nga gjyqtarët e ndeshjes. Për këtë ndeshje dhe gjykimin e saj ka folur administratori i klubit, Kujtim Shaba. “Nuk është hera e parë që gjyqtarët na ndëshkojnë si skuadër apo ndikojnë në rezultat. E kam parë ndeshjen me vemendje dhe sigurisht ishte një gjykim i dobët, kundër nesh. Me vjen keq që gjërat shkojnë në këtë mënyrë pasi Vllaznia nuk duhet të ndëshkohet në këtë mënyrë”, ka thënë i bindur ai. Duke u ndalur tek skuadra dhe loja që zhvilloi ajo, Shaba ka rezervat e tij. Duke mos mohuar një pjesë të parë aspak të mirë, ai vë theksin tek dëshira e skuadrës për të përmbysur çdo gjë në pjesën e dytë. “Sigurisht që dhe ekipi nuk ishte në lartësinë e duhur sidomos pjesën e parë. Por në të dytën ne bëmë maksimumin dhe ndryshuam lojën për të përmbysur rezultatin. Të gjithë e kemi parë se Vllaznia luajti më mirë në pjesën e dytë dhe kjo sigurisht është falë egos dhe dëshirës për të arritur një rezultat të mirë. Por kur dhe gjykimi është kundër nuk mund të arrish të zhvillosh një lojë të mirë”.

Kualifikimi

Vllaznia ndonse ka humbur ndaj Flamurtarit ajo shpreson shumë që të arrijë një kualifikim për në gjysëm finale të Kupës së Shqipërisë. Këtë herë janë vetë drejtuesit që motivojnë ekipin dhe stafin teknik për të punuar shumë dhe për të mos u dorëzuar përballë asnjë vështirësie. “Ne kemi besim se do të arrijmë të kualifikohemi për në gjysëm finale. Sigurisht që janë ndeshje të vështira por Vllaznia e ka një objektiv të tillë. E gjithë skuadra është e motivuar për të bërë më të miren e mundshme pavarësisht vështirësive”, ka thënë Shaba. Sigurisht që një pjesë të suksesit në ekip duhet ta kenë dhe blerjet e realizuara deri tani. Administratori i skuadrës nuk ka preferuar të flasë në detaje por shpreson në një ambjentin sa më të shpejtë të tyre në shërbim të skuadrës. “Çdo lëvizje që është realizuar e që do të realizohet është në të mirë të skuadrës. Jo më kot thashë që kemi shpresa dhe besim për të kaluar në gjysëm finale duke shpresuar që dhe përforcimet e realizuara të mund të gërshëtohen me lojën e skuadrës”.

Kampionati

Në fundjavë Vllaznia do të udhëtojë drejt Laçit për ndeshjen e parë të fazës së dytë të Kampionatit Shqiptar të Futbollit. Kuqeblutë kanë fituar në një takim që patën ndaj laçianëve për Kupë por në Kampionat çdo gjë është ndryshe. Shkodranët do të luajnë në transfertë përballë një ekipi që në Kampionat nuk ka ndërmend të bëjë lëshime. “Sigurisht që ndaj Laçit është një ndeshje jo e lehtë. Shpresojmë që të bëjmë më të miren dhe ta nisim mbarë kampionatin ndaj laçianëve. Vllaznia e vlerëson maksimalisht si ekip dhe çdo ndeshje hyn për të realizuar më të miren e saj”, ka përfunduar administratori i klubit Kujtim Shaba.

ANTON ZALLI