Vllaznia në këtë sezon është në garë për titullin dhe po bën mirë deri diku, por sulmi nuk është një repart që shkëlqen. Realisht, asnjë nga futbollistët e sulmit nuk ka ndihmuar sa duhet.

Në fakt, në muajin janar Vllaznia do të ndërhyjë në merkato për të marrë minimalisht një sulmues dhe një nga opsionet kryesore është rikthimi i Eraldo Çinarit.

Në fakt, ashtu siç e paralajmëruam edhe dje, “Shkodra Sport” ka mësuar se Vllaznia dhe futbollisti shkodran janë në tratativa për një rikthim të mundshëm pas katër-pesë sezonesh të ndarë. Vullneti i të dyja palëve ekziston, por për ta parë të realizohet kjo marrëveshje duhet pritur janari, kur ndoshta edhe mund të zyrtarizohet gjithçka.

Sa i takon kontratës, Çinari ka edhe më shumë se një vit e gjysmë kontratë me Samsunsporin në Ligën e Parë turke, por trajneri Bajram Bektash dhe stafi teknik nuk e kanë aspak në plane, madje sulmuesi në këtë sezon, edhe pse është nën kontratë dhe po stërvitet me turqit, nuk është federuar për të luajtur në kampionat.

Ndeshja e fundit si titullar e Çinarit me fanellën e Samsunsporit daton më 1-dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa më 20-maj të këtij viti është aktivizuar në një ndeshje nga stoli për herë të fundit.

Në fakt, burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar se në rast se, Çinari do të firmosë për Vllazninë, shanset më të mëdha janë që të vijë si futbollist i lirë. Realisht, ai kërkon të luajë dhe të kthehet në ditët e dikurshme. Në fakt, Çinari së bashku edhe me Latifin dhe Malën, do të formonin një treshe të frikshme në sulmin e Vllaznisë.
Maringlen ZHIVANI