Pas dy ditësh, Vllaznia e femrave do të luajë ndeshjen e dytë të fazës play-off të Champions League. Kështu, përballë saj në stadiumin “Loro Boriçi”, do të jetë ekipi ukrainas i Vorskla Kharkiv.

Realisht, atmosfera e bukur, loja me rivalitet, golat, rastet e shumta dhe mbi tre mijë tifozët e pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”, bënë që ndeshja e parë Kharkiv-Vllaznia të ndiqej me shumë interes nga ata që ishin në stadium, por edhe të tjerët nga ekrani i TV. Vetë rezultati 1-1 i sfidës së parë, e bën edhe më interesante përballjen e dytë, që do të luhet të mërkurën, sërish në të njëjtin stadium.

Megjithatë për këtë herë, ekipi i Vllaznisë si pritës ka planifikuar një orar tjetër për startin e kësaj ndeshje. Të mërkuren nuk do të luhet në orën 18:00 si në ndeshjen e parë, por në orën 16:00.

Për ndeshjen e së mërkures, pritet që interesimi të jetë më i madh dhe të pranishëm në stadium, mendohet të jenë më shumë se sa tre mijë tifozë që ishin në ndeshjen e parë. Ndërkohë, vetë klubi shkodran ka vendosur që hyrja e tifozëve do të jetë falas dhe kështu mendohet të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh, teksa mund të ketë edhe një organizim nga “Vllaznit Ultras” në tribunën C5.

Realisht, vajzat e Vllaznisë presin mbështetjen e tifozëve, sidomos në këtë ndeshje të dytë që është shumë e rëndësishme, sepse një rezultat pozitiv do t’i kualifikonte ato në fazën e grupeve të kompeticionit UEFA Women Champions League, ç’ka do të ishte historike për futbollin shqiptar. Prandaj, t’i mbështesim këto vajza në mënyrë që e gjitha Shkodra, por edhe më gjërë, të jenë krenare prej tyre.
Maringlen ZHIVANI