FSHF ka publikuar sot një tjetër tabelë statistikore sa i përket Kategorisë Superiore dhe mënyrës se si funksionon raporti i mbajtjes së topit dhe gjuajtjeve në portë.

Qartësisht, mbajtja e topit të jep më shumë mundësi që të kontrollosh lojën e të tentosh portën, por jo të gjitha ekipet që mbajnë shumë topin e bëjnë një gjë të tillë.

“Tre skuadrat që kanë më pak zotërim topi, kanë dhe më pak gjuajtje në portë. Por Bylis, që ndodhet në vendin e shtatë në renditjen e zotërimit të topit, është skuadra që gjuan më shumë në portën kundërshtare në të gjithë kampionatin.

Vetëm Vllaznia ka vlera të larta si në zotërimit e topit ashtu edhe për gjuajtjet në portë, ndërkohë që dy skuadrat e kryeqytetit nuk bëjnë të korrespondojë kontrolli i topit me gjuajtjet që bëjnë në portë.

Arsyet e kësaj diference të dhënash bazohen kryesisht te vertikalizimi dhe cilësia e vertikalizimeve që bëhen gjatë ndeshjes”, shkruhet në analizën e shkurtër të FSHF-së që publikon të dhënat statistikore të elitës së futbollit shqiptar deri tani.

Në të dhëna shihet qartësisht se nuk ka një ekip i cili është dominues në mënryë të ndjeshëme ndaj të tjerëve, pasi ekipi që ka më shumë topin në kontroll në Superiore, Vllaznia, kalon 54%. /vipsport/