Kampionati kombëtar i basketbollit për të rinj do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e fazës së dytë të tij dhe më pas do t’i lërë vendin fazës finale. Vllaznia do të luajë të dielën në orën 12.00 ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit dhe do të presë në “Qazim Dervishi” ekipin e Elbasanit.

Kjo ndeshje në pamje të parë nuk konsiderohet shumë e rëndësishme sepse të dy ekipet e kanë siguruar daljen në plej- of me një ndryshim të vogël që elbasanasve mund t’u nevojitet fitorja për një renditje më të mirë, çka do ta favorizonte për ndeshjet e fazës finale.

Ekipi shkodran aktualisht është i pozicionuar në vendin e tetë dhe do ta mbajë këtë vend edhe pas ndeshjes të së dielës. Plej- ofi i sivjetëm është vendosur të jetë me 8 skuadra ngaqë kampionati ka patur një pjesmarrje të madhe prej 14 ekipesh këtë sezon dhe prandaj Vllaznia është në fazën finale të tij.

Sipas kalendarit dhe skemës të paracaktuar, ajo do të ndeshet në turin e parë të finaleve me ekipin e vendit të parë, Goga Basket. Për më tepër që ndeshja do të luhet në fushën e kësaj të fundit dhe vështirësia për kuqeblutë rritet edhe më shumë dhe po ashtu zvogëlohen shanset për të shkuar në gjysmëfinale.

Megjithatë trajneri Hallunaj dhe basketbollistët e tij janë duke u mundur të bëjnë më të mirën e tyre. Renditja në vendin e tetë i ka penalizuar jo pak, e kjo gjë ka ardhur për shkak të largimit të dy prej lojtarëve më të mirë të ekipit, organizatorit Marku që ka vijuar studimet në Amerikë dhe të lojtarit qendër Memçaj që i është bashkuar Kamzës prej janarit.

Ajo që duhet thënë është se basketbolli shkodran përveçse me të rriturit, ka nevojë për një reformë të thellë edhe tek ekipet e moshave sepse mungojnë lojtarët e talentuar dhe themelimi sa më parë i Akademisë, duhet të jetë një prioritet për drejtuesit e shoqatës.
© shkodrasport.com