Vllaznia u është rikthyer ditën e sotme përgatitjeve pas pushimit një-javor. Shkodranët i mbyllën këto 12-javë kampionat brenda pritshmërive dhe vijnë me një moral disi të lartë.

Ky pushim pritet t’i vijë në ndihmë trajnerit Mirel Josa për të rregulluar sa të mundet diçka në skuadrën që ai e drejton prej disa muajsh. Kështu, mbeten për t’u parë ndryshimet që do të aplikojë trajneri Josa të paktën në katër javët e mbetura deri në hapjen e merkatos.

Realisht, e gjithë skuadra ndodhet në një presion të madh për synimet e vendosura nga klubi, sepse në rast të mos arritjes së objektivave, rrezikohet të hidhet në erë një sezon i tërë.

Në një situatë të tillë, të gjithë në klub ndodhen në një presion të madh për të marrë rezultatet, sepse mosarritja e titullit kampion për të tretin vit rradhazi që Vllaznia pretendon, do të ishte ndoshta një problem i madh.

Një fakt i tillë u është bërë i ditur futbollistëve dhe stafit, me në krye trajnerin Mirel Josa edhe nga ana e drejtuesve dhe presidentit Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI